Shtatorja e Fadil Hoxhës në pranverë, ndryshohet lokacioni
Duket se komuna e Gjakovës i ka ndryshuar planet sa i përket vendosjes së shtatores së heroit të popullit Fadil Hoxha në qendër të qytetit. Mësohet se shtatorja nuk do të vendoset në lokacionin e paraparë, përbri Hotel “Pashtrikut”.
Por, sipas zyrtarëve komunal ky ndryshim po bëhet për shkak të zgjidhjeve urbanistike, ndërsa shtatorja e Hoxhës do të vendoset shumë shpejtë pikërisht në qendër të qytetit. Në fakt, drejtoria komunale e Urbanizmit ka planifikuar që në qendër të qytetit, tek semaforët të ndërtojë një rreth rrotullim, me ç’rast i bije që rruga të kalojë në parcelën ku ishte planifikuar vendosja e shtatores.
Prandaj, me zgjidhjet e reja urbanistike po shikohet mundësia që shtatores t’i gjendet një tjetër lokacion. Jo-zyrtarisht është mësuar se kjo shtatore po planifikohet të ngritët në mes të rreth rrotullimit, por varësisht nga hapësira e mbetur ajo mund të ngritët edhe përbri objektit të PTK-së. E tërë kjo do të dihet në pranverën e vitit 2015, kur edhe do të fillojnë punët për ndërtimin e rreth rrotullimit.
Ndryshe, ngritja e shtatores së heroit Fadil Hoxha ishte vendosur nga Asambleja komunale në legjislacionin e kaluar, por nga Asambleja e legjislacionit të ri ky projekt përkohësisht ishte lënë në sirtar, për faktin se pati ngjallur debat të ashpër në mes të partive politike dhe individëve në përbërje të Asamblesë. Megjithatë, duke qenë se për një çështje të tillë tashmë është marrë një vendim, atëherë vendosja e saj mbetet thjeshtë çështje ditësh. /radiogjakova/