Siguria e nxënësve, policia e Gjakovës nis zbatimin e planit operativ
Me fillimin e vitit të ri shkollor edhe Stacioni Policor në Gjakovë është mobilizuar për të garantuar siguri për të gjithë nxënësit e komunës së Gjakovës.
Një rëndësi e veçantë i jepet sigurisë në rrugë, për çka Divizioni i Trafikut Rajonal ka nisur së implementuari planin e tij operativ.
Toger Albin Sahatqija, komandant i këtij divizioni, njoftoi se plani është i ndarë në tre faza dhe se ka rezultuar i suksesshëm edhe vitin e kaluar shkollor.
“Faza e parë ka të bëjë me vizitat nëpër shkolla ku ne si polici do të njoftohemi me problemet me të cilët ata ballafaqohen. Faza e dytë ka të bëjë me ligjeratat të cilat do t’i vazhdojmë nëpër shkollat e tri komunave të rajonit të Gjakovës dhe faza e tretë përfshin anën praktike ku të gjithë nxënësit do të shohin punën në terren të policisë për të mbajtur ata të sigurtë”, tha ai.
Togeri Sahatqija njoftoi se është rikthyer edhe kufizimi i lëvizjes për mjetet motorike në rrugët “Beqir Kastrati” dhe “Normalja e Gjakovës” që lidhin rrugën transite me qendrën e qytetit, apo ndryshe që njihet si rruga pranë shkollave të mesme.
Kufizimi është rikthyer edhe në rrugën “Qemajl Bakija” pranë shkollës fillore “Mustafa Bakija”.
Kufizimi vlen nga ora 08:00 deri në 18:00 dhe bëhet për të mos rrezikuar lëvizjen e mijërave nxënësve që vijojnë mësimin në shkolla./radiogjakova/