.
Published On: Wed, Jul 19th, 2017

Siguria gjatë verës, Gjokaj: Jo armë në dasma, kujdes në rrugë

Share This
Tags

Ardhja në vendlindje e bashkëqytetarëve që jetojnë dhe veprojnë jashtë Kosovës, ka gjallëruar qytetin e Gjakovës, ndërkohë që shtimi i numrit të banorëve padyshim se kërkon një menaxhim adekuat nga institucionet e ndryshme.

Kristë Gjokaj, komandant i Stacionit të Policisë në Gjakovë, për Radio Gjakovën, ka njoftuar për situatën në trafik dhe sigurinë në përgjithësi.

Sipas Gjokajt, disa akse rrugore në komunën e Gjakovës janë shumë të ngarkuara, sidomos rruga “Skënderbeu” pasi është një pikë kyçe që të çon edhe drejt rrugës për Prizren.

Ai ka njoftuar se në rrugët e komunës ka më shumë oficerë policie, më shumë patrullime në mënyrë që të mbahet në kontroll e gjithë situata.

Komandanti i Stacionit të Policisë në Gjakovë, Gjokaj, foli edhe për masat të cilat do të ndërmerren në parandalimin e dukurisë së armëmbajtjeve pa leje.

Sipas tij, në planin operativ të Policisë së Gjakovës parashihen kontrolle të befasishme nëpër disa pika të caktuara, por edhe kontrolle në vetura apo vende të tjera ku dyshohet se mbahen armë pa leje.

Për Gjokajn shqetësuese mbetet edhe përdorimi i armëve në ahengjet familjare. Ai tha se janë arrestuar dy persona pasi kanë gjuajtur me armë.

Sipas tij, do të ketë shumë policë civilë që do të qëndrojnë pranë vende ku organizohen ahengje në mënyrë që persona që përdorin armë të arrestohen.

Duke paralajmëruar aplikimin rigoroz të planit operativ për muajt e verës, komandanti i Stacionit të Policisë në Gjakovë, Kristë Gjokaj apeloi tek drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes, të mos përdorin celularët dhe të respektojnë shenjat e trafikut./radiogjakova/