Siguria, Komuna dëshiron të pajisë të gjitha shkollat me kamera
Siguria në shkolla vazhdon të jetë një nga prioritetet e Drejtorisë së Arsimit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në Gjakovë.
Gjendja e sigurisë në institucionet arsimore vlerësohet shumë më e mirë se në komunat e tjera të Kosovës, mirëpo pavarësisht kësaj janë paralajmëruar marrja e masave të tjera.
Komuna po shikon mundësitë që të mbulojë me kamera të gjitha shkollat e Gjakovës. Aktualisht një pjesë e mirë e shkollave në qytet kanë kamera, ndërsa më ndryshe është në fshatra të cilat nuk i posedojnë ato.
Në Drejtorinë e Arsimit thonë se kamerat përpos se ndihmojnë në zbardhjen e rasteve, ato janë shumë efektive edhe në parandalim të veprimeve të mundshme kriminale.
Në analizën e bërë mes Komunës dhe Policisë, në Gjakovë del se nuk ka raste të rënda dhe të shumta të dhunës në shkolla.
Sipas kësaj analize, thuhet se ka pasur raste të rrahjeve mes nxënësve dhe përdorim të lëndëve narkotike në sasi të vogla.
Për të vetëdijesuar mbi pasojat, policia mban në mënyrë të rregullt edhe seanca këshilluese me nxënës në ato shkolla ku Drejtoria e Arsimit e sheh të nevojshme.
Disa përfaqësues të shoqërisë civile së fundmi kishin ngritur zërin që Komuna të bëjë më shumë për sigurinë në shkolla pasi që kacafytjet që nisin mes dy vetave në klasë shpesh vazhdohen edhe jashtë shkollës e përfshijnë në konflikt edhe një numër më të madh personash./radiogjakova/