.
Published On: Fri, Aug 29th, 2014

“Shtrohet” Sofra

Share This
Tags

sofra-gjkDo të nisë sonte në Gjakovë edicioni i parë e Festivalit “Festa e Sofrës”, festival i cili do të sjellë para qytetarëve të Gjakovës por edhe mysafirëve nga trevat tjera plot aktivitete të larmishme. Sipas organizatorëve tashmë gjithçka është bërë gati dhe vetëm pritet fillimi i aktivitetit, që përfundon të dielën pas mesnate.

Festivali “Festa e Sofrës”, tri ditë do të sjellë muzikë popullore e qytetare gjakovare e bashkë me të edhe pije e ushqime tradicionale. Sipas organizatorëve, në këtë aktivitet do të gërshetohen dy elemente nga tradita e Gjakovës, siç janë muzika dhe pjekja e rakisë. Me këtë rast, gjatë ditëve të festivalit, në lokacionin e caktuar do të vendosen disa kazanë, në të cilët do të demonstrohet rituali i pjekjes së rakisë.

Ky aktivitet do të përcillet edhe me kinemanë verore, në të cilët do të shfaqen filma dokumentarë që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore. Aktivitetet e festivalit do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e Gjakovës dhe qyteteve tjera të Kosovës, të cilët gjatë kësaj periudhe do të kenë mundësi që të dëgjojnë muzikë të vjetër gjakovare, e në të njëjtën kohë të shijojnë edhe pije e ushqime tradicionale.

Ndryshe, në pjesën e muzikës së vjetër qytetare do të përformojnë grupet “Arshikët” dhe “Hadi Bajrami” si dhe shumë këngëtarë tjerë nga Gjakova. Mysafir i festivalit është paralajmëruar të jetë këngëtari nga Shkodra Bujar Qamili. Festivali do ta ketë edhe pjesën e muzikës argëtuese, me ç’rast do të përformojnë grupi Jerico, NR, Valon Shehu, e të tjerë./radiogjakova/