Protesta dhe kallëzim penal ndaj Jabllanoviqit
Kjo e shtunë (sot) nuk është aspak e zakonshme. Në të vërtetë, kjo është e shtuna e dytë që qytetarët e Gjakovës detyrohen të dalin në qendër të qytetit për të protestuar kundër ministrit Jabllanoviq i cil i i quajti gjakovarët egërsira.
Qytetarët e komunës së Gjakovës, por jo vetëm, janë ndjerë të ofenduar nga këto fjalë, ndërsa edhe më të irrituar janë dukur pas heshtjes së Kryeministrit Isa Mustafa, ndërsa në dy herët sa ka folur kryetari i LDK-së duket se e ka përkeqësuar punën.
Sidoqoftë, sot pritet që të ketë një pjesëmarrje masive dhe të kërkohet edhe njëherë, jo vetëm shkarkimi i Jabllanoviqit, por edhe shpallja e tij si person i padëshiruar në vendin tonë. Protesta nis në orën 14:00 në parkun në qendër të qytetit.
Gjithashtu, këshilli organizativ i kësaj proteste të dalë nga shoqëria civile, shoqata “Thirrjet e Nënave” dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë vendosur që të ngrejnë një kallëzim penal për Jabllanoviqin, por për këtë duhen edhe nënshkrimet e qytetarëve të Kosovës.
Qytetarët kanë mundësi të nënshkruajnë në tri pika të ndryshme në Gjakovë, saktësisht në qendër të qytetit, në qarshinë e vogël si dhe në lagjen “Mullajusuf” duke filluar nga ora 11:00./radiogjakova/