.
Published On: Tue, Jan 16th, 2018

Sulmi me armë ndaj policisë në Gjakovë, reagon kryeministri Haradinaj

Share This
Tags

Një aksion antidrogë që rezultoi edhe me shkëmbim zjarri pasditen e së hënës në afërsi të shkollës “Zekeria Rexha” ka nxitur reagimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Shefi i qeverisë kosovare dënoi sulmin ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës duke thënë se të tilla akte nuk e ndalojnë zbatimin e aksioneve kundër drogës.

Në një postim në “Facebook”, Haradinaj inkurajon oficerët e Policisë së Kosovës, që sipas tij kanë qenë shumë aktivë dhe të suksesshëm në këtë synim, që të mos zmbrapsen nga lufta ndaj drogës pasi ka rëndësi jetike për rininë.

“Zotimit tim, për siguri në ambientet shkollore dhe moslejim të ekspozimit të fëmijëve tonë ndaj substancave narkotike, do t’i shkoj gjer në fund. Jam i angazhuar pareshtur, në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante, që kjo dukuri të mos vazhdojë të helmojë më rininë tonë”, deklaroi kryeministri Haradinaj./radiogjakova/