Synohet mbrojtja dhe rregullimi i Shkugëzës
Gjakovë- Mbrojtja dhe rregullimi i parkut të Shkugëzit duket se do të jetë njëri ndër prioritetet kryesore të qeverisjes së re lokale, konkretisht drejtorisë së Urbanizimit.
Drejtori komunal i Urbanizmit Xhelal Hoxha, ka bërë të ditur se Shkugëzi do të jetë puna e parë me të cilën do të merret kjo drejtori dhe aktualisht është në përpunim e sipër plani rregullues për Shkugëzin bashkë edhe me pjesën e banimit rreth Shkugëzit.
Drejtori Hoxha ka shtuar se kjo do të jetë diçka shumë me rëndësi dhe e dobishme për Gjakovën, sepse ka kohë që në atë zonë po punohet në shkatërrimin e saj. Sipas Hoxhës, ky plan do ta mbrojë Shkugëzin dhe do të zgjidhë një herë e përgjithmonë çështjen e banimit aty.
E për të folur për Shkugëzin, drejtoria e Urbanizmit do të hapë edhe një shqyrtim publik të Planit të sajë rregullues për këte lokalitet, me ç’rast fton të gjithë të interesuarit që të kontribuojnë në realizimin e këtij projekti. Shqyrtimi publik fillon nga data 21 janar në orën 13:00 në ambientet e Drejtorisë komunale të Urbanizmit në Gjakovë dhe do të zgjatë 30 ditë./radiogjakova/










