Tabelat e rrugëve me gabime ortografike
Gabimet në të shkruar të gjuhës standarde shqipe dhe në komunikim kanë qenë gjithmonë një shqetësim për ekspertët e gjuhës. Ato bëhen edhe nga institucione, i gjen në dokumente, tekste shkollore, deklarata, por edhe në tabela rrugësh.
Komuna e Gjakovës me kohë e ka përfunduar vendosjen e tabelave në çdo kënd të komunës, por disa prej tyre kanë probleme ortografike, sidomos në përkthimin e fjalëve nga gjuhët e huaja.
Rregulli i gjuhës shqipe thotë që fjalët e huaja duhen të shkruhen ashtu siç shqiptohen.
Kështu rruga e quajtur për nder të ish-komandantit Suprem të Forcave të Bashkuara të NATO-s për Europën, Uesli Klark, ëshë shkruar si “Vesli Klark”.
I njëjti standard i përkthimit të shkronjës “w” si “v” është përdorur edhe në rastin e rrugës “Uashingtoni”.
Profesoresha e gjuhës angleze, Zhaklina Lipoveci-Rezniqi nga “Language Center” tha se shkronja “w” përkthehet si “u” në të gjitha rastet. Ashtu siç e kemi edhe rastin e New York që në shqip i themi Nju Jork.
Në Komunën e Gjakovës thonë se para 4 vitesh kur është ngritur komisioni për emërtim rrugësh ka pasur edhe një lektor që ka dhënë fjalën e fundit para se lista me emra t’i dërgohej kompanisë së tabelave.
Megjithatë, ka gabime edhe në emërtimin e rrugëve me emrat e disa personaliteteve të njohura siç është rasti i Bardhyl Çaushit, kur mbiemri i tij nuk është shkruar si duhet dhe tabela është në qendër të qytetit./radiogjakova/