Tafarshiku: AAK-ja po shpif
Gjakovë- Lidhur me kumtesën e degës së AAK-së në Gjakovë kanë reaguar edhe zyrtarët komunal, të cilët i kanë quajtur shpifje të gjitha deklaratat e partisë opozitare.
Ali Tafarshiku, zyrtar për marrëdhënie me publikun në zyrën e kryetares Kusari – Lila, ka thënë se AAK-ja po vazhdon të shpifë ashtu siç ka bërë edhe deri me tani. Sipas tij, nuk është korrekte që një parti e cila ka bërë shkelje serioze në tenderin e renovimit të QKMF-së sot të akuzojë dikë që s`po përpiqet ta rregullojë më shpejtë punën që vet e kanë prishur.
Tafarshiku ka shtuar se projekti i QKMF-së është një projekt i cili tashmë është dërguar edhe në prokurori dhe do të jetë ky institucion që do të merret me dallaveret e këtij tenderi. Ai gjithashtu e ka mohuar edhe faktin se Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër fshatra nuk kanë dru zjarri. Sipas tij vetëm ditëve të fundit janë shpërndarë 70 metra kub dru zjarri, për të gjitha qendrat e Mjekësisë Familjare dhe zyrat e vendit./radiogjakova/