Taphanja sërish në ankand
Drejtoria e Kulturës do të provojë edhe një herë përmes ankandit publik që ka hapur të enjten, për të dhënë në shfrytëzim objektin e muzeut të muzikës në Taphane.
Madje në ankandin e ri ka rikthyer edhe kriteret e kaluara, ku ky objekt mund të shfrytëzohet edhe si restaurant tradicional familjar, pastiçeri ose “coffe shop”.
Po ashtu sipas kritereve të Drejtorisë së Kulturës, ky objekt, përkatësisht kati përdhes i këtij objekti do të lëshohet për shfrytëzim edhe si hapësirë shumëfunksionale apo qendër kulturore me aktivitete muzikore, art figurativ, dizajn, vallëzim, teatër, edukim joformal.
Mungesa e ofertave ka bërë që objekti, që më herët Komuna e Gjakovës e ka shpallur si muze të muzikës, akoma të jetë i pashfrytëzueshëm deri më tash.
Në Drejtorinë e Kulturës thonë se kjo është hera e fundit që komuna hap ankand për këtë objekt. Sipas drejtorit Meriton Ferizi nëse nuk do të ketë ofertues që do të menaxhojë pjesën e poshtme që të këtij objekti edhe këtë herë, komuna do të gjejë një mënyrë tjetër që të funksionalizojë muzeun e muzikës./radiogjakova/