.
Published On: Mon, Jan 26th, 2015

Të hyrat në 2014-ën, arkëtohen rreth 90% e planifikimit

Share This
Tags

gjakova-Komuna e Gjakovës, në aspektin e realizimit të të hyrave vetanake, vitin 2014 e ka përmbyllur me një rezultat prej rreth 90%, ndërkohë që totali me donacione ka qenë 91.5%.

Si jemi njoftuar nga Bekim Syla, udhëheqës i sektorit të të hyrave në Drejtorinë komunale për  Buxhet e Financa, marrë në tërësi, gjatë vitit të kaluar ishte planifikuar që së bashku me donacione, nga të hyrat vetanake të mblidhen 3 milion e 45 mijë euro, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe 12 mujore në arkën e institucionit më të lartë komunal janë derdhur mbi 2 milion e 786 mijë euro.

Rreth 50% e kësaj shume, apo më saktësisht 1 milion e 430 mijë euro, janë të hyra të realizuara nga Drejtoria për Buxhet e Financa, e cila planifikimin vjetor e ka përmbushur në masë 86%.

Rezultate jo të kënaqshme gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2014, kur është fjala tek realizimi i të hyrave vetanake ka pas Drejtoria komunale për Zhvillim Ekonomik, e cila planin e paraparë e ka përmbushur në masë 42.67%.

Në anën tjetër, sipas Sylës, rezultatet më të mira i ka shënuar drejtoria komunale e Administratës së Përgjithshme, e cila ka realizuar të hyra 22% mbi planifikimin vjetor./radiogjakova/