Të rinjtë e AAK-së akuzojnë Mimozën
Gjakovë- Janë duke vazhduar akuzat e kundër-akuzat në mes të komunës së Gjakovës dhe degës së AAK-së në Gjakovë, parti e cila pas 6 viteve në qeverisje lokale, tashmë ka kaluar në opozitë.
Forumi Rinor i këtij subjekti, ka mbajtur një konferencë për media, në të cilët e ka akuzuar kryetaren e komunës Mimoza Kusari – Lila për gjendje të rëndë ekonomike dhe gjendje të rëndë të të rinjëve në Gjakovë. Në këtë konferencë kryetari i FR të AAK-së, Kushtrim Brahimaj ka thënë se qeverisja e re i ka larguar nga puna 60 të rinj në projektin e “Caritasi”-t ndërsa po planifikon të largojë edhe 13 të tjerë në Ngrohtoren e qytetit.
Të rinjtë e AAK-së kanë ngritur akuza edhe për dështimin e aksionit për pastrim dhe konferencës së donatorëve, aktivitete të cilat i kanë quajtur aktrime të qeverisjes lokale.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i komunës së Gjakovës, të cilët i kanë quajtur të pa baza akuzat e të rinjve të AAK-së. Në një komunikatë për media, thuhet se është e pakuptimtë që çdoherë, si në kohën kur ishin në pushtet, ashtu edhe tash si opozitë, dega e AAK në Gjakovë ndjen alergji ndaj zhvillimit, donatorëve, investitorëve dhe mundësive të reja që i krijohen Komunës së Gjakovës.
Në komunikatë po ashtu thuhet se Komuna e Gjakovës, qeverisja lokale dhe kryetarja e Komunës nuk ka kohë që të merret me spekulime të vazhdueshme që ky subjekt opozitar i servon publikut, sa herë që sheh punë, angazhim dhe suksese të qeverisjes së re lokale në Gjakovë./radiogjakova/