.
Published On: Mon, Feb 12th, 2018

Të rinjtë gjakovarë diskutojnë mbi perspektivën e tyre

Share This
Tags

Të rinjtë e Gjakovës të hënën pasdite u mblodhën në sallën solemne të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” për të diskutuar mbi temën “Perspektiva rinore për 10 vite pavarësi”, aktivitet ky që u mbajt në kuadër të jubileut të shtetësisë së Kosovës.

Përpos përfaqësuesve të organizatave rinore, në këtë tryezë mori pjesë edhe zv.ministrja e Kulturës, Rinisë e Sportit, Burbuqe Bakija-Deva, drejtoresha komunale e Kulturës, Rinisë e Sportit, Saranda Hyseni dhe Edmond Dushi e Bekim Ermeni, asamblistë në Kuvendin Komunal.

Kryetari i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal të Gjakovës, Ideal Zhaveli, duke përmendur vështirësitë me të cilat përballen, tha se të rinjtë sot duan vetëm të largohen nga vendi duke mos e parë të ardhmen e tyre në Kosovë.

“Nga përvoja ime me të rinjtë kam kuptuar se secili ka synim që të largohet nga vendi. Mundësisht të fitojnë ndonjë bursë ose të gjejnë ndonjë punë dhe të largohen. Kjo më shqetëson, pasi do të ishte shumë më mirë sikur të qëndronim këtu dhe të jepnim kontributin tonë në Kosovë”, u shpreh Zhaveli.

Drejtoresha e Kulturës, Rinisë e Sportit, Saranda Hyseni, tha se 10-vjetori i pavarësisë po e zë Kosovën të zbehtë në disa fusha, përfshirë këtu edhe atë të mbështetjes për rininë. Ajo tha se ka një buxhet qesharak për sektorin e rinisë.

Në lidhje me largimin e të rinjve, ajo tha se është e dhimbshme kur dëgjon se të gjithë e kanë më dëshirë të largohen, por tha se duhet të ketë një strategji të qartë se si kjo mund të parandalohet.

Duke folur për punësim, Hyseni tha se të rinjtë duhet të jenë më syçelë në tregun e punës dhe të zgjedhin drejtimet në shkolla që kërkohen dhe jo për hatër të shoqërisë.

“Është për të ardhur keq se si shkollat profesionale nuk preferohen nga të rinjtë, ndërkohë që ka shumë nevojë për zanate, ka kompani që nuk arrijnë të plotësojnë vendet e punës pasi nuk ka të kualifikuar. Të rinjtë duhet të shohin tregun e punës dhe të zgjedhin drejtimin për shkollim dhe jo të ndjekin miqtë në Gjimnaz apo në Ekonomi”, u shpreh Hyseni.

Zv.ministrja e Kulturës, Rinisë e Sportit, Burbuqe Bakija-Deva, tha se buxheti i Kosovës për Departamentin e Rinisë është rritur, por nuk mjafton duke pasur parasysh kërkesat.

Megjithatë, ajo inkurajoi organizatat rinore të Gjakovës që të propozojnë projekte dhe të aplikojnë për të përfituar grante që jep Ministria e Kulturës.

“Buxheti për rininë është rritur, por nuk mjafton. Sidoqoftë ju apeloj që të aplikoni me projekte. Por, organizatat rinore duhet të jenë të kujdesshme me plotësimin e dokumentacionit se ndonjëherë nuk janë të saktë në atë çfarë kërkohet”, deklaroi Bakija-Deva.

Duke folur për mbështetjen, Andi Batusha tha se nuk e di se çfarë duhet të bëjnë të rinjtë gjakovarë që të meritojnë një qendër rinore. Sipas tij, organizatat rinore të Gjakovës janë më aktive në nivel vendi.

Një tjetër student, Erelis Sada, kërkoi nga Komuna të sqarojë strategjinë e saj për rini, në mënyrë që të shihen masat që ndërmerren për të parandaluar të rinjtë të shkojnë rrugëve të gabuara.

Eli Bytyqi nga organizata “Inno” tha se duhet të bëhet më shumë presion që puna vullnetare të njihet si praktikë, meqë në të gjitha konkurset të rinjtë hasin në vështirësi për shkak se kërkohet përvoja.

Kryetari i AKR-së, njëherit asamblisti, Edmond Dushi, u shpreh se projektligji i propozuar që puna vullnetare të njihet si praktikë ka një problem, meqë tashmë në konkurse kërkohet përvojë pas diplomimit. Ai gjithashtu ftoi të rinjtë të jenë zë më aktiv në vendimmarrje.

Sekretarja e degës së Kryqit të Kuq të Gjakovës, Fllanza Bakija-Lama, tha se të rinjtë kanë mbështetjen e organizatës së saj në projekte të vetëdijesimit, ndërsa lavdëroi bashkëpunimin dhe punën e organizatave rinore që kujdesen edhe për mirëqenien e qytetarëve që janë në vështirësi ekonomike./radiogjakova/