.
Published On: Sat, Nov 16th, 2013

“Thirrjet e nënave”: Institucionet na harruan

Share This
Tags

nesrete-kumnovaGjakovë- Shoqata “Thirrjet e nënave” në Gjakovë, përmes një komunikatë për opinion, ka shpreh edhe një herë brengen e familjarëve të të pagjeturve dhe ankthin e pritjes për mos zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, dhe për neglizhencën e institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare rreth kësaj çështje.

Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, thuhet në komunikatë, për familjarët e të pagjeturve kanë sjellë një gjendje të rendë shpirtërore dhe terr informative për fatin e të pagjeturve, për faktin se i gjithë spektri politik i Kosovës është orientuar në fushatë zgjedhore, duke e harruar plagën e hapur të familjarëve.

“Zvarritja e kësaj çështje mjaft të dhembshme për familjarët vazhdon t’i shkojë përshtati ish pushtetit kriminel serb për t’i humbur gjurmët e krimit dhe gjenocidit ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, ku edhe sot pas 14 viteve të përfundimit të luftës në Kosovë, Serbia po vazhdon të na i mbaj peng trupat e 1750 qytetarëve të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Shoqata “Thirrjet e nënave” në Gjakovë që vepron me përkushtim për zbardhjen e fatit të personave të rrëmbyer e të pagjetur, shprehet e indinjuar për këtë neglizhencë që po vazhdon pa fund, dhe kërkon nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare që prioritet të jetë zbardhja e fatit të të pagjeturve të Kosovës dhe me këtë çështje të merret niveli më i lartë shtetëror.

“Ne si familjarë e përkrahim çdo iniciativë që është për të mirën e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj të shumë vuajtur, por duke mos harruar dhe shkelur mbi gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit për lirinë e Kosovës”, thuhet mes tjerash, në komunikatën për opinion të shoqatës “Thirrjet e nënave” të Gjakovës./radiogjakova/