.
Published On: Tue, Nov 25th, 2014

UGJ “Fehmi Agani” aplikon për njësi të reja akademike

Share This
Tags

univ-gjakUniversiteti Publik i Gjakovës “Fehmi Agani” ka aplikuar në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës për hapjen e programeve dhe njësive të reja akademike, konkretisht shtimin e programeve të reja dhe zgjerimin e atyre ekzistuese.

Sipas drejtuesve të këtij institucioni është aplikuar për themelimin e programit të ri, gjegjësisht Fakultetit të Shkencave Sociale, me degët Administratë Publike, Marrëdhënie Ndërkombëtare me Integrime Evropiane si dhe Shkenca Politike. Përpos kësaj, është aplikuar edhe për hapjen e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara, me drejtimet Bio-teknologji dhe Pylltari.

Gjithashtu, krahas aplikimit për hapje të fakulteteve të reja, është aplikuar edhe për shtimin e kapaciteteve të fakulteteve ekzistuese. Në këtë drejtim, në fakultetin Filologjik është aplikuar për hapjen e degës së Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, në fakultetin e Mjekësisë për degën e Fizioterapisë dhe në Fakultetin e Edukimit për degën e Edukimit në fëmijërinë e hershme, një degë kjo e re për Kosovën.

Sipas zyrtarëve të Universitetit të Gjakovës, ky institucion tashmë ka krijuar kushte të mira infrastrukturore për zgjerim, ndërsa nuk qëndrojnë keq edhe në krijimin e kushteve kadrovike.

Megjithatë, ata thonë se për fillim Universiteti i Gjakovës ka nevojë për ndihmë, gjegjësisht për kuadër shtesë nga universitetet tjera, me theks të veçantë nga Universiteti i Prishtinës dhe ai Tiranës.

Sipas zyrtarëve të Universitetit të Gjakovës, në rast të akreditimit të këtyre drejtimeve të reja, në secilin prej tyre do të regjistrohen nga 50 studentë në vitin e parë./radiogjakova/