UGJ, rreth 3220 studentë nisin vitin e ri akademik
Rreth 3220 studentë, prej tyre 470 të rinj, nisën të hënën vitin e ri akademik në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”. Studentët do të vazhdojnë studimet në 8 programe të ndryshme në tri fakultetet e këtij universiteti.
Për vitin akademik 2017/18, Universiteti i Gjakovës hapi konkurs vetëm në 5 drejtime. Prorektorja Mimoza Dushi, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe është plotësuar stafi pedagogjik për këtë vit të ri akademik.
Ajo shtoi se Universiteti i Gjakovës është në finalizim të projekteve për ndërtimin e objektit të ri si dhe po punon në vazhdimësi për të ngritur cilësinë e mësimit që si fryt do të kishte edhe shtimin e numrit të programeve në këtë universitet.
Për të gjithë studentët e rinj që janë bërë pjesë e Universitetit të Gjakovës është bërë pranimi solemn në të tre fakultetet.
Me këtë rast, rektori i universitetit Shaban Buza, uroi për një vit të mbarë akademik me dëshirat më të mira që me përkushtimin dhe me punë të palodhshme të arrijnë të përmbushin qëllimet dhe dëshirat për rrugëtim në karrierë./radiogjakova/