UGJ shqyrton 41 ankesa, pranohen 3
Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” ka pranuar 41 ankesa pas publikimit të rezultateve preliminare të provimit pranues për afatin e parë.
Në Fakultetin e Edukimit, në programin Fillor kanë mbërritur 15 ankesa, por vetëm 1 student ka rezultuar të kishte të drejtë duke fituar të drejtën për studime. Për këtë program tashmë është plotësuar numri dhe nuk do të ketë afat të dytë pasi janë pranuar 100 studentë, si dhe 3 të tjerë nga kuotat e rezervuara.
Në drejtimin Parashkollor ka pasur 5 ankesa dhe 2 studentë i janë shtuar listës së të pranurve. Në këtë program janë plotësuar 75 vende si dhe 2 nga kuotat e rezervuara.
Në Fakultetin Filologjik, në drejtimin Gjuhë Shqipe Letërsi ka pasur vetëm 4 ankesa, por komisioni ka vlerësuar se nuk ka pasur gabime dhe ankesat nuk qëndrojnë. Në këtë program për afatin e parë janë plotësuar 57 vende.
Në Fakultetin e Mjekësisë në total ka pasur 17 ankesa dhe që të gjitha janë rrëzuar nga komisioni. Për drejtimin Mami janë pranuar 5 studentë të rinj, ndërsa në programin Infermieri 58 si dhe 6 nga kuotat e rezervuara për fëmijë të dëshmorëve, minoritete dhe studentë nga trojet e tjera shqiptare./radiogjakova/