.
Published On: Tue, Jan 16th, 2018

Varshmëria ndaj drogës, në Gjakovë vijon programi me “Metadon”

Share This
Tags

Rritja e përdoruesve të lëndëve narkotike ka rritur numrin e personave që po trajtohen në repartin e Psikiatrisë në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.

Sipas doktor Ilir Grezda, shef në repartin e sëmundjeve të varësisë, në muajt e fundit është rritur numri i personave që po trajtohen me “Metadon”, një medikament përmes së cilës luftohet varshmëria e drogës.

Grezda tha se aktualisht janë 26 të rinj që po trajtohen në këtë qendër shëndetësore me këtë medikament. Shumica e të trajtuarve vazhdojnë të jenë nga komunitetet pakicë, tek të cilët ndihet kriza me e madhe ekonomike, si një nga faktorët kryesor të të rinjve që përdorin substancë narkotike.

Programi me “Metadon” praktikohet në spitalin psikiatrik që prej vitit 2011. Sipas doktor Grezdës, ka një interesim të shtuar të individëve që duan të largohen nga kjo dukuri negative dhe që po trajtohen në këtë qendër.

Ai tha se në këtë qendër shëndetësore pacientët përcillen deri në synimin final që është largimi nga varësia. Por Grezda shtoi se largimi nga droga varet nga vullneti i personit.