Vazhdon trendi i vjedhjeve të pusetave

Vjedhja e pusetave, shenjave të komunikacionit e rrethojave të ndryshme metalike, të gjitha këto për tu shitur për skrap, po vazhdon të jetë një dukuri shqetësuese në Gjakovë, për të mos thënë dukuri alarmante. Përpos që po krijojnë shpenzime të panevojshme për institucionet, kjo dukuri po paraqet edhe shkallë të lartë të rrezikshmërisë, për shoferët, çiklistët dhe këmbësorët. Në komunë, gjegjësisht në drejtorinë e Shërbimeve Publike, po thonë se janë në hall me këto vjedhje.
Sipas tyre, përpos telasheve në përditshmëri kjo dukuri po krijon edhe shpenzime të panevojshme. Kështu, një kapak pusete kushton deri në 80 euro, ndërsa bazuar në çmimin e hekurit në hekurishte, vjedhësit nuk kanë mundësi ta shesin ate më shumë se 10 euro. Njëjtë është edhe me shenjat e komunikacionit, e cila për tu blerë kushton rreth 30 euro, ndërsa ato të vjedhurat shiten shumë lirë.
E në pamundësi që të bëjnë diçka më shumë për parandalimin e kësaj dukurie, zyrtarët thonë se e vetmja gjë që mund të bëhet është apeli tek njerëzit që për ato pak para sa mund t’i shesin gjërat e vjedhura të mos e rrezikojnë jetën e qytetarëve tjerë si dhe apeli tek pronarët e hekurishteve, që në asnjë mënyrë dhe për asnjë përfitim financiar të mos i pranojnë gjërat e vjedhura.










