.
Published On: Sat, Jan 4th, 2014

Veteranët e Brigadës “137 Gjakova” përfshihen në debatin mes Haradinajt dhe LISBA-s

Share This
Tags

luftetaret-cabratiGjakovë- Në debatin publik të nisur mes liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinajt dhe partisë islamike LISBA që identifikohet me Fuad Ramiqin, janë përfshirë edhe veteranët e UÇK-së nga Gjakova.

Kështu në një reagim të shpërndarë pak çaste më parë, ish-ushtarët e Brigadës 137 Gjakova, bëjnë thirrje të mos njolloset lufta dhe ideali për liri i dëshmorëve.

“Ne, veteranët e Brigadës 137 “Gjakova” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jemi shumë të shqetësuar me përpjekjet e grupeve militante dhe ekstremiste islamike, që kanë për qëllim të keqpërdorin idealin tonë kombëtar, për të cilin, në luftën e fundit kundër pushtuesit serb (si edhe në ato para saj) shumë bashkëluftëtarë tanë e dhanë jetën për liri”, thuhet në fillim të reagimit.

“U themi haptazi të gjithë këtyre matrapazëve dhe të shiturve për interesa të huaja, e që tani po krekosen me mjekra dhe gjysmë pantallona dhe me sjellje antishqiptare, se ne jemi radhitur gjatë luftës në radhët e Zonës Operative të Dukagjinit (ZOD) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përkrah komandantit Ramush Haradinaj, por edhe sot, për ideale kombëtare jemi së bashku”.

Në reagim thuhet se “në ditët e fundit, këto fundërrina nën petkun islam janë duke keqpërdorur dhe abuzuar edhe me emrat e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç ishte edhe rasti i bashkëluftëtarëve dhe heronjve tanë, Komandant “Mjekrra” – Njazi Azemi, Mujë Krasniqit – “Kapuqit” e shumë të tjerëve”.

“Edhe njëherë iu themi këtyre që janë në shërbim të terrorit, se ne, luftëtarët e UÇK-së, në frontin e luftës na ka bashkuar ideali për të sakrifikuar edhe jetën për lirinë e atdheut, për lirinë Kosovës. Edhe atëherë, por edhe tani, nuk jemi ndarë sipas besimit, qoftë islam apo katolik, por krah për krahu kemi luftuar ashtu siç kanë luftuar historikisht shqiptarët, sepse, mbi të gjitha ka qenë dhe është atdheu”.

“Çdo person që bën përpjekje (kushdo qoftë, me mjekërr a pa të) për të denigruar, njollosur ose keqpërdorur këtë ideal, do ta konsiderojmë armik të atdheut tonë dhe të shqiptarizmit në tërësi”, përfundon reagimi, transmeton Express.