Vetëvendosje: Komuna dëshiron të tërheq vëmendjen nga problemet reale
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sërish, pas një deklratae të dite më parë mbi transparencen në zgjedhjen e bordeve të ndërmarrjeve komunale. Shkak për këtë është bërë reagimi i Komunës, që sipas tyre, synon të tërheq vëmendjen dhe ta personalizojë. Më poshtë deklarata e plotë.
Më 2 dhjetor, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë lëshoi një komunikatë për media, ku flitej për fenomenin e punësimeve partiake në bordet e ndërmarrjeve komunale në Komunën e Gjakovës. Menjëherë pas kësaj, pasoi reagimi nga Komuna. Reagimi që bëri pushteti lokal kishte për qëllim zhvendosjen e vëmendjes nga tema qendrore që ngritëm ne, duke e orientuar debatin në çështje të cilat nuk i kemi ngritur. Tendenca e qeverisjes komunale që opozitën lokale të Lëvizjes Vetëvendosje ta barazojë me reagimet e opozitarëve të tjerë të cilëve ua dimë të bëmat në pushtetin e kaluar, nuk është aspak e drejtë dhe korrekte.
Pjesa më e madhe e reagimit të Komunës është thirrur në transparencën e këtij procesi, gjë të cilën ne këtë rast në nuk e kemi përmendur si problem. Pavarësisht transparencës së procesit, është shqetësuese që as ky konkurs nuk shpëtoi nga aplikantët e shumtë që vijnë nga partitë politike në pushtet. Punësimet gjithnjë e në rritje që për kriter kanë familjarizimin dhe përkatësinë partiake nuk janë shqetësim vetëm për subjektin tonë, por edhe për shumë qytetarë të Gjakovës.
Rezultatet e qeverisjes janë tepër larg nga premtimet kryesore të fushatës, dhe ky është problem për të cilin qytetarët kanë filluar të reagojnë hapur. Reagimi i Komunës ka për qëllim që debatin ta personalizojë, duke e larguar kështu vëmendjen nga problemi i vërtetë, e që është fenomeni i punësimit të militantëve. Asambleisti Agon Batusha është zgjedhur duke garuar me programin dhe konceptin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe çdo sulm ndaj tij është edhe sulm ndaj subjektit tonë.
Pjesëmarrja jonë në një nga komisionet e konkurseve nuk ka mundur të parandalojë aplikantët e shumtë nga partitë, sidomos ata të pushtetit. Të paktën në komisionin ku ne kemi qenë pjesë, jemi munduar maksimalisht që nga ata që aplikuan të zgjedhen më të mirët. Në këtë komision ka pasur tendeca për ndërhyrje direkte në konkurs prej shumë drejtimeve, të cilat edhe mund t’i faktojmë. Veç mund të paramendojmë se çfarë ndikimesh janë bërë në komisionet e përbëra pa prezencën tonë.
Qeverisja komunale dhe Kryetarja e Komunës duhet të distancohen nga deklaratat e punëtorit të Komunës, Ali Tafarshikut. Si person jokompetent ndaj përgjegjësive që ka karshi publikut, Ali Tafarshiku është shembulli konkret për dëmin që shkaktojnë punësimet e militantëve partiakë në Komunë.
Qeverisja komunale duhet t’i rilexojë premtimet e fushatës sepse siç duket i ka harruar. Për çdo ditë jemi dëshmitarë të largimit të madh të banorëve nga komuna jonë. Ky dëshpërim vjen nga keqqeverisa disa vjeçare në Kosovë, ku pjesëmarrëse ka qenë edhe AKR-ja. Përsëritja e keqqeverisjes qendrore edhe në nivel lokal është njësoj sikur ta bësh dy herë eksperimentin e njëjtë dhe të presësh rezultate të ndryshme. Pra më një logjikë të tillë qeverisjeje si kjo e vitit të fundit, Gjakovës nuk i garantohet e ardhme e mirë.










