Vihet gurthemeli i Qendrës së re të Mjekësisë Familjare
Në rrugën “Beqir Kastrati”, saktësisht afër Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Hysni Zajmi” u vu gurthemeli për ndërtimin e objektit të Qendrës së re të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.
Ndërtimi i kësaj qendre pritet të zgjasë 18 muaj, ndërsa do të kushtojë mbi 1 milion e 200 mijë euro. Mjetet janë siguruar nga Ministria e Shëndetësisë që ka ndarë 900 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga Komuna e Gjakovës.
Në ceremoninë e përurimit solemn, ushtruesi i detyrës së kryetarit të komunës, Armend Vokshi ka thënë se shumë shpejtë qytetarët e Gjakovës do të kenë mundësi të marrin shërbime sipas standardeve bashkëkohore.
Vokshi njoftoi se në bazë të planit dinamik, ky projekt do të finalizohet brenda 18-muajsh
E pranishme në ceremoni ishte edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, që u shpreh e lumtur se më në fund po merr jetë projekti i Qendrës së Mjekësisë Familjare për të cilin ajo tha se kanë këmbëngulur shumë sa ishte edhe në poziten e kryetares së komunës së Gjakovës./radiogjakova/