Vijon shërbimi i votuesve në Gjakovë
Komisioni Komunal i Zgjedhjeve po vijon me periudhën e shërbimit të votuesve për zgjedhjet komunale 2017.
Gjatë kësaj periudhe votuesit e komunës së Gjakovës kanë mundësi të bëjnë ndërrimin e qendrës së votimit me qëllim që për zgjedhjet lokale ta kenë qendrën e votimit më afër vendbanimit të tyre.
Zyrtari i lartë në KKZ-në e Gjakovës, Xhevdet Bytyçi, njoftoi se që nga 26 korriku kur është hapur ky shërbim e deri paraditen e së mërkurës vendvotimin e kanë ndryshuar 25 votues.
Duke qenë se ky shërbim është i hapur deri më 12 shtator e duke pasur përvojat e kaluara, Bytyçi pret një fluks më të madh në ditët e fundit të këtij shërbimi.
Ndryshe, ndërrimi i qendrës së votimit bëhet duke u paraqitur në zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, me letërnjoftim me ç’rast plotësojnë formularin për ndërrimin e qendrës së votimit. Kjo zyre është e hapur çdo ditë pune nga ora 08.00- 16.00./radiogjakova/