Viti akademik 2017/18, UGJ pranon mbi 420 studentë të rinj
Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” publikoi rezultatet përfundimtare të provimit pranues. Pas shqyrtimit edhe të ankesave, në afatin e dytë të drejtën për të ndjekur studimet në fakultetet e këtij universiteti e kanë fituar 99 studentë si dhe 17 të tjerë nga kuotat e rezervuara.
Në Fakultetin e Edukimit, në programin shkollor, si studentë të rregullt janë pranuar 25 kandidatë si dhe 8 të tjerë nga kuotat. Në programin Fillor janë pranuar vetëm 4 kandidatë nga kuotat pasi për studentë të rregullt ishte plotësuar numri në afatin e parë.
Në Fakultetin e Filologjisë, në drejtimin Gjuhë Shqipe dhe Letërsi janë pranuar 37 studentë të rinj si dhe 2 nga kuotat.
Në Fakultetin e Mjekësisë, në programin Mami janë pranuar 35 studentë si dhe një nga kuotat e rezervuara. Në drejtimin e Infermierisë gjithsej janë pranuar 4 studentë, dy si të rregullt dhe dy nga kuotat.
Regjistrimet për studentët e rinj nisin nga e hëna me orare të veçanta për të treja fakultetet.
Në total, në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” për vitin akademik 2017/2018 në të dy afatet janë pranuar 394 studentë të rregullt si dhe 28 nga kuotat e rezevuara duke e çuar numrin në 422 studentë të rinj./radiogjakova/