.
Published On: Thu, Jul 31st, 2014

Vozitësit e pa ndërgjegjëshëm krijojnë kaos në trafik

Share This
Tags
 gjakova-makinat
Këto ditë vere kur qyteti ka fituar gjallërinë me ardhjen e bashkëqytarëve tanë nga Diaspora për pushime në vendlindje, një dukuri që po shqetëson është ngasja e shpejtë e veturave, në rrethanat kur rrugët mezi i zënë të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Kjo dukuri bëhet më shqetësuese posaçërisht në orët e mbrëmjes deri në orët e vona kur dëgjohen më të madhe fishkëllimat e gomave dhe shpejtësia e madhe e disa automjeteve.
 
Në anën tjetër pothuajse në të gjitha rrugët një dhe dy kahore, në mungesë të hapësirave për parkingje janë të renditura veturat e parkuara duke mos lënë hapësirë për qarkullim normal. Një gjendje e tillë padyshim se rritë pasigurinë e këmbësorëve por edhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik. Tejkalimi i shpejtësisë jo vetëm në rrugët brenda qytetit por edhe në rrugët periferike sjell aksidente të reja.
 
Edhe pse Policia e Kosovës gjatë vitit 2014 ushtron kontrolle të vazhdueshme, në të gjitha akset rrugore si ato urbane e po ashtu edhe në ato rajonale, aksidentet me vdekje nga viti i kaluar janë në rritje. Nga shifrat zyrtare të Policisë pesë persona që kanë vdekur janë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit që shkoi. Për gjashtë muajt e parë të këtij viti 61 persona kanë humbur jetën në fatkeqësi komunikacioni. Sipas Policisë aksidentet me lëndime janë në rënie por jo edhe numri i personave të lënduar.