“Vrapo me natyrën”, maratona e parë e Malësisë së Gjakovës
“Vrapo me natyrën” është moto e maratonës së parë të Malësisë, e cila do të mbahet më 15 tetor, në relacionin Gjakovë – Bajram Curr. Qëllimi i organizimit të këtij aktiviteti është promovimi i përbashkët e dy zonave, Gjakovës në pjesën e Kosovës dhe Tropojës në pjesën e Shqipërisë, por mbi të gjitha promovimi i natyrës së bukur që ekziston në këtë pjesë të Ballkanit. Me këtë rast të gjitha mjetet e përfituara nga ky organizim, si dhe donacionet eventuale, do të dedikohen për mbrojtjen e natyrës dhe pyllëzimin e zonës nëpër të cilën kalon shtegu i maratonës.
Komuna e Gjakovës tashmë ka nisur përgatitjet për organizimin e kësaj maratone të parë ndërshtetërore. Vrapimi i maratonës do të nisë në qendër të qytetit në Gjakovë, ndërsa do të përfundojë të njëjtën ditë në qendër të qytetit të Bajram Currit. Përveç maratonës klasike prej 42 kilometra e 195 metra, në kuadër të këtij aktiviteti sportiv, organizatorët kanë paraparë edhe gara në gjysmë maratonë 21 kilometra si dhe stafetë 4 herë 10 kilometra.
Por, aktivitetet në kuadër të kësaj maratone do të vazhdojnë edhe në mbrëmjen e datës 15 tetor dhe me 16 tetor, me organizmin e shumë aktiviteteve në Luginën magjepsëse të Valbonës.