VV Gjakovë nis përgatitjet për zgjedhjet e brendshme
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e brendshme për kandidatët për Asamble dhe kryetar komune.
Nga kjo qendër bëjnë të ditur se në ditët e ardhshme pritet të ngrihet Komisioni i Brendshëm që do të caktojë edhe datën e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.
Mbi 1 mijë anëtarë me të drejtë vote në këtë qendër do të përzgjedhin kandidatin për kryetar, ndërsa kandidaturat për asambleistë i përzgjedh Këshilli i degës.
Nëse kandidati për kryetar do të duhet të jetë të paktën 3 vite anëtar i VV-së, për asambleistë pranohen edhe kandidimet nga jashtë.
Ish-kandidatja për kryetare në zgjedhjet e kaluara nga VV, Arbërie Nagavci e konfirmoi për Radio Gjakovën se nuk do të kandidojë më dhe do të betohet si deputete, ndërsa kreu i qendrës së Gjakovës, Driton Çaushi duket se ende nuk ka vendosur nëse do të bëhet pjesë e garës.
Në Qendrën e VV-së në Gjakovë thonë se janë shumë më të përgatitur për zgjedhje lokale të 22 tetorit dhe se synim mbetet që të përsërisin rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme ku në krahasim me subjektet e tjera dolën më të votuarit në komunën e Gjakovës./radiogjakova/