.
Published On: Thu, Sep 4th, 2014

VV: Konkursi i arsimit nuk është transparent

Share This
Tags

vv-gjkLëvizja Vetëvendojse qendra në Gjakovë shpreh shqetësimin e saj për problemet që janë shfaqur në testimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për mësimdhënës në Komunën e Gjakovës.

VV-ja duke u bazuar në raportin e asamblistit të saj i cili ka qenë monitorues i këtij procesi si dhe nga ankesat e shumta të aplikantëve që thuhet t’i kenë pranuar përmes aktivistëve kanë dalë në përfundimin që procesi nuk ka qenë i rregullt dhe mjaftueshëm transparent në tërësinë e tij.

Shqetësimet e tyre, Lëvizja i ka përcjellë edhe në Drejtorinë e Arsimit, ndërsa më poshtë të ndara në pika po ju përcjellim vërejtjet e VV-së.

•    Përdorimi i emrave dhe mbiemrave për identifikimin e kandidatëve në fletën e testit është metodë e gabuar. Për t’i eliminuar favorizimet testimi duhet bërë me anë të kodifikimit në vend të emrit dhe mbiemrit.
•    Testet kanë pasur mangësi të theksuara teknike dhe përmbajtësore. Shumë pyetje nuk kanë korresponduar me përgjigjet e dhëna si dhe anasjelltas.
•    Disa pyetje i referoheshin figurave të dhëna për detyrë, e në fakt figurat nuk ekzistonin fare. Këto raste kanë shkaktuar vështirësi, huti, por edhe shqetësim tek kandidatët. Kjo ka bërë që disa nga kandidatët të mos u përgjigjen fare këtyre pyetjeve.
•    Shqetësuese ka qenë  mungesa e kritereve të vlerësimit si dhe e pikëve për secilën pyetje të testit. Kjo gjë bashkë me shënimin e emrit dhe mbiemrit në fletën e testit ka ngjallur dyshime për manipulim. Duhet që secila pyetje të ketë edhe pikët përkatëse.
•    Monitoruesit nuk kanë pasur qasje në fazat kur është bërë vlerësimi i këtyre testeve.

“Jemi të vetëdijshëm për problemet e trashëguara me rregulloret dhe stafin civil por rëndësia e këtij procesi duhet të kapërcejë çdo pengesë dhe vështirësi. Cilësia e mësimdhënies në shkollat tona është shumë e dobët. Mbështesim transparencën por kërkojmë që procesi të jetë i tillë në çdo fazë të tij. Nuk duhet të lejojmë që disa gabime “teknike” që lindin dyshime për manipulime të rezultojnë me pranimin e kandidatëve të gabuar për mësimdhënës që do ta vazhdonin degradimin e nisur më herët.

“Nëse vazhdohet që për aplikantët edhe në të ardhmen të zbatohet metoda e testimit me shkrim për paraseleksionim , atëherë testi duhet të jetë i përgatitur mirë dhe të jetë i koduar. Është urgjente që të shqyrtohen me kujdes ankesat e aplikuesëve të shumtë të këtij procesi. Secila ankesë duhet të ketë përgjigje meritore dhe të shpejtë. Nëse si pasojë e këtyre gabimeve e mangësive teknike nuk pranohen aplikantët meritorë, atëherë pasojat do t’i bartin nxënësit”, thuhet në deklaratën e VV-së./radiogjakova/