Zarushi, një person i pazëvendësushëm
Gjakovë- Me organizim të Kuvendit Komunal u mbajt mbledhja komemorative në nderim të Gjylgjyzare Karaxhija Xharavina ku morren pjesë përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, të subjekteve politike, fetare dhe qytetarë tjerë.
Me këtë rast kryetarja Mimoza Kusari-Lila mbajti një fjalim emocionues duke folur me dhimbje të thellë dhe pietet për bashkëpunëtoren e saj. Fjalimi i saj preku gjithë kur ju drejtua vajzës së Zarushit, Natyrës.
“E dashura Natyra! Ti humbe mamin, por dije se sot nuk je vetëm. Rreth vetes ke shumë miq, të cilëve mami yt u la gjurmë në jetën e tyre. Mami ndau një buzëqeshje, mori mbi vete një hall të tyrin, u mundua të zgjidh problemet, e nëse jo më shumë, ajo u ul për kafe dhe ndau çokolata për ta.
“Dhembjes tënde i janë bashkuar me qindra vëllezër dhe motra, të cilët erdhën në jetë falë humanizmit dhe profesionit të shenjtë të Zarushit. Mami jot edhe pse të kishte ty, si të vetmen vajzë të veten, në duar mbajti shume djem e vajza të cilët e patën Zarushin, njeriun e parë që i priti në këtë botë.
“Zarushit, për ty nganjëherë i shpëtonte pika e lotit se ti i shkove në Prishtinë dhe ajo ndjehej paksa e vetmuar pa vajzën e saj. Natyra, mami të ka lënë shumë shoqe dhe motra të cilat do të qëndrojnë afër, edhe pse do të jetë e vështirë për ta zëvëndësuar atë grua të çmuar”, tha Kusari-Lila.
Ajo iu drejtua edhe bashkëshortit të së ndjeres, Fehmi Xharavina, i njohur në Gjakovë si Qaqi. “I nderuari Qaqi! Të falënderojmë nga thellësia e zemrës për gjithë përkrahjen dhe motivimin që ia ofrove Zarushit. Ajo të kishte shtyllë të fortë, por ishte grua që gjithmonë rrezatonte siguri dhe vendosmëri. Ju na dhatë shembullin e bashkëjetësës dhe barabarësisë së mirëfilltë”, u shpreh kryetarja Lila.
Tutje, ajo shtoi se Zarushin do e mbante mend gjithmonë si një grua e cila arrinte kudo. “Mirësia dhe buzëqeshja e saj reflektonte në çdo takim, mbledhje, bisedë por edhe në çastet kur ndjeheshim më të pasigurtë”, tha kryetarja e Gjakovës.
Në emër të subjekteve politike në Kuvendin e Komunës ka ngushëlluar Luan Gola, kryesues i Kuvendit. “Zarushi ka qenë aktiviste, veprimtare, punëtore dhe edukatore e palodhshme. Zarushi ka qenë iniciatore e parë për themelimin e një subjekti të ri politik, AKR dhe ishte asambleistja më e votuar në Komunë dhe ndër më të votuarat në vend, dhe ishte për përmirësimin e rolit të gruas në shoqëri”, u shpreh Gola.
Në emër të qeverisë së Kosovës dhe të subjektit partiak AKR, ka ngushëlluar Behgjet Pacolli, i cili ka kujtuar se Zarushin e ka njohur që në vitin 2006, në atë vit ku Pacolli kishte themeluar subjektin e tij partiak. “Zarushi, ishte bashkëpunëtorja ime e parë nga Gjakova dhe gjithnjë ka qenë besnike dhe e tillë mbeti në zemrat dhe mendjet tona” është shprehur zv.kryeministri Pacolli në fjalën e tija ngushëlluese.
Në emër të familjes për ngushëllime dhe kohën që u gjendën pranë të ndjerës që nga momenti i aksidentit e deri në shprehjen e ngushëllimeve dhe organizimeve tjera, ka falënderuar bashkëshorti i së ndjerës, Fehmi Xharavina./radiogjakova/