Zgjedhjet lokale, s’ka koalicione parazgjedhore në Gjakovë
Gjakova do të hyjë në zgjedhje lokale pa asnjë koalicion parazgjedhor. Komisioni Qendror Zgjedhor ka mbyllur afatin për certifikim të koalicioneve parazgjedhore për komunat dhe në afatin e paraparë nuk është paraqitur asnjë i tillë.
Kjo do të thotë se të gjitha partitë dhe kandidatët për kryetar do të garojnë të vetme. Kjo vlen vetëm për zgjedhjet e 22 tetorit, pasi në rast se do të shfaqet nevoja për balotazh mund të krijohen koalicione të reja.
Ndërkohë, KQZ ka njoftuar se ka filluar periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.
Të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Kosovës, mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet lokale për Kryetar të Komunave dhe për Asamble Komunale në Kosovë.
Formulari për aplikim mund të merret në faqen zyrtare të KQZ, ndërsa kjo periudhë do të zgjasë deri më 23 gusht./radiogjakova/