Zhvendosja e Institucioneve nga objekti për rrënim, zvarritë punimet në ndërtimin e trotuarit në rrugën e UÇK-së

Zhvendosja e disa institucioneve që funksionojnë në objektin skaj rrugës “UÇK”, po zvarritë rrënimin e tij dhe lirimit të hapësirës për ndërtimin e një trotuari në ish–kazermen e Ushtrisë Jugosllave, në qendër të qytetit. Megjithatë, sipas kryetares së komunës Mimoza Kusari–Lila, po punohet që kjo pengesë të tejkalohet shumë shpejtë dhe brenda pak ditësh në atë lokacion të fillojnë punimet.
Sipas saj, komuna po planifikon që deri në muajin shtator të gjitha punët të përfundojnë në këtë projekt, në menyrë që nxënësit dhe studentët të kenë një trotuar, më tepër hapësirë për të frekuentuar. Ndryshe, krahas këtij projekti, aktualisht në Gjakovë po punohet në disa projekte infrastrukturore, përfshirë këtu dy rreth rrotullimet, atë në dalje të qytetit drejtimi për Prizren dhe atë në Bllokun e Ri, në afërsi të Hotel Jakovës. Gjithashtu, këto ditë po punohet edhe në shtrimin e disa rrugëve me kubëza dhe në memorialin “Shokët e Lirisë” në qendër të qytetit.










