Zjarrfikësit vuajnë mungesën e burimeve njerëzore
Dita ndërkombëtare e zjarrfikësve e gjen këtë shërbim në gjendje të vështirë në të gjitha aspektet, si organizimi, menaxhimi, kapacitetet teknike, por edhe burime njerëzore.
Situatë jo e mirë është edhe në Brigadën e Zjarrfikësve të Gjakovës, pasi sipas tyre kushtet në të cilat po punojnë zjarrfikësit gjakovarë nuk janë të mira dhe nuk i plotësojnë nevojat e kësaj brigade.
Sipas komandantit, Pashtrik Xërxa, zjarrfikësit gjakovarë nuk kanë probleme me organizim e menaxhim, por me kapacitete teknike të cilat janë të vjetruara, por edhe më resurse humane.
Sipas tij, i gjithë stafi në raste të ndryshme punon edhe jashtë orarit zyrtar të punës ndërsa brigada e Gjakovës ka nevojë së paku edhe për 6 zjarrfikës, që i bie një turn i plotë.
Sipas Xërxës kjo gjendje nuk po ndryshon prej disa viteve me gjithë numrin e madh të kërkesave, me shkrim e me gojë, por edhe me biseda shoqërore, ku kemi kërkuar mirëkuptim nga institucionet komunale.
“Mirëpo falë angazhimit maksimal të zjarrfikësve situata po menaxhohet si duhet dhe për t’u dalë në ndihmë çdo qytetari që ka nevojë për ndihmë emergjente në raste të ndryshme”, tha Xërxa.
Ndryshe, kjo situatë jo e mirë që po mbretëron në të gjitha njësitë e zjarrfikësve në Kosovë, ka shtyrë Sindikatën e Zjarrfikësve të Kosovës për t’i dërguar një letër krerëve të shtetit, ku i bëhet me dije se zjarrfikësit në Kosovë funksionojnë në shpërputhje të plotë me ligjet në fuqi, janë të injoruar dhe pa asnjë përkujdesje institucionale.