VV: AKR-ja si AAK-ja, s’ka plan për zhvillim ekonomik
Lëvizja Vetëvendosje, qendra e Gjakovës, ka akuzuar Komunën e Gjakovës për mungesë të planeve konkrete që kanë të bëjnë më zhvillimin ekonomin, që sipas tyre, ishte premtim i Kusari-Lilës. Ata kanë thënë se udhëheqja e AKR-së, nuk ndryshon aspak nga ajo e AAK-së.
“Vërejtja jonë kryesore është mungesa e planeve konkrete që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik komunal që ishte premtimi kryesor zgjedhor i qeverisjes aktuale. Kemi qenë të vetëdijshëm që viti i parë do të kalonte duke u marrë me problemet e trashëguara nga qeverisja e kaluar, ndërsa në vitet e tjera politikat komunale do të duhej të orientoheshin drejt zhvillimit ekonomik. Mirëpo me planifikim buxhetor për vitin 2015 të paraqitur në këtë seancë, këto pritshmëri nuk u përmbushën. Për këtë arsye nuk u deklaruam pro këtij buxheti.
Sipas planifikimit buxhetor për vitin 2015 vërehet që nga 5, 251, 293 euro të ndara për investime kapitale, vetëm 1, 780, 269 prej tyre janë planifikuar për Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik. Është shqetësuese që mbi 90% të projekteve të kësaj drejtorie janë shtrimi i rrugëve nëpër Komunë. Pa dashur të ndalim përmirësimin e infrastrukturës, mbetemi të sigurt, siç e kemi parë edhe nga niveli qendror, që investimi në rrugë e asfalt nuk garanton zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Një logjikë e tillë e investimeve kapitale është vazhdim i asaj të qeverisjes paraprake”, thuhet në deklaraten e VV-së.
Sipas tyre shqetësuese janë edhe investimet kapitale në bujqësi sepse ato zënë një vend të papërfillshëm të buxhetit dhe se buxheti për bujqësinë nuk dallon prej qeverisjes së kaluar.
Sipas VV-së, Agon Batusha, asambleist i këtij subjekti politik ka parashtruar disa pyetje, përgjigjet e të cilave nuk i morri, ndërs kanë vendosur që t’ia rikujtojnë edhe njëherë Kusari-Lilës.
“1. Në raportet e viteve 2012 dhe 2013 nuk realizohet asnjë e hyrë nga dënimet e Inspeksionit kurse në 6 mujorin e parë të 2014 nga 1500 euro të planifikuara nuk është realizuar asnjë e hyrë. Si ka mundësi që në vitet e ardhshme të hyrat në këtë dikaster të kapin shumat 18,000 euro?
“2. Në planifikimin e të hyrave të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik për 3 vitet e ardhshme të hyrat nga “lejet për vazhdimin e orarit të punës” nuk figurojnë fare në pasqyrë, përderisa ky zë buxhetor është i pranishëm në pasqyrat e vitit aktual dhe atyre paraprake.
“3. Përderisa në 6-mujorin e parë të 2014-ës nga “lejet për taksi dhe autobusë” janë realizuar 840 euro të hyra, si ka mundësi që në 3 vitet e ardhshme nga kjo kategori të planifikohen mesatarisht 5,500 euro të hyra për vit?
“4. Në 6 mujorin e parë të 2014 nga “qiratë e lokaleve të Komunës” nga 28,000 euro të planifikuara për gjithë vitin janë realizuar vetë 510 euro, si ka mundësi që me këtë inkasim kaq të ulët, për 3 vitet e ardhshme të planifikohen mesatarisht 27,000 euro të hyra?”, thuhet ën deklaraten e VV-së./radiogjakova/