Javën e ardhshme nis puna për vendosjen e semaforëve në rrugën transite
Javën e ardhshme do të nisë së implementuari projekti për vendosjen e semaforëve në rrugën “Tirana” apo transite në Gjakovë.
Zyrtarë të lartë komunalë njoftuan se tashmë është përzgjedhur operatori i cili do të kryejë punimet dhe ato pritet të nisin të mërkurën e ardhshme.
Do të vendosen dy palë semaforë, i pari në udhëkryqin tek kompanitë e sigurimeve, ndërsa tjetri tek pallati i sporteve “Shani Nushi”.
Komuna fillimisht kishte hedhur idenë e rrethrrotullimit, por me sugjerimin e Zyrës së Trafikut u përcaktua për semaforë.
Në këto dy udhëkryqe në të kaluarën kanë ndodhur aksidente të rënda, prandaj ishte kërkuar me patjetër ndërhyrja, edhe pse fillimisht ishin vendosur shirita vibrues.
Në Komunën e Gjakovës thonë se semaforët do të jenë me standarde evropiane, ndërsa punimet do të zgjasin 30 ditë.
Kjo nënkupton që në fillim të muajit Qershor, Gjakova do të ketë edhe dy palë semaforë në dy udhëkryqe të tjera./radiogjakova/