.
Published On: Mon, May 7th, 2018

Epopeja e Çabratit, nderohen dëshmorët dhe martirët

Share This
Tags

Në ditën e shënimit të Epopesë së Çabratit të hënën janë përkujtuar të gjithë dëshmorët dhe martirët e rënë me datën 7 maj të vitit 1999.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini së bashku me bashkëpunëtorë dhe luftëtarë të brigadës “137 Gjakova” nderuan me homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë varrezave të dëshmorë ve dhe martirëve në kodrën e Çabratit.

Gjini deklaroi se 7 Maji është një ndër ditët më të lavdishme të popullit të Kosovës, ndërsa tha se të gjithë duhet të jemi krenarë për ata që ranë 19 vite më parë.

“Është një ndër ditët më të lavdishme të popullit të kësaj ane, gjithë Kosovës. Një ditë e cila për një moment ka qenë shumë e dhimbshme dhe e mundimshme, por sot na është kthyer në krenari. Ka ardhur koha që t’ju themi gjithë qytetarëve që të ndjehen krenarë për djemtë dhe vajzat të cilët kanë dhënë jetën e tyre për lirinë e vendit. Kështu që kokën lartë dhe nderim për të gjithë”, deklaroi kryetari Gjini.

Komandanti i Brigadës 137 “Gjakova”, Agron Kryeziu duke kujtuar betejën e pabarabartë, tha se kjo ka qenë lufta e vetme e zhvilluar brenda qytetit.

“Këtë beteje në të cilën ne kemi hyrë nga zonat e Dukagjinit, kemi arritur të depërtojmë në zemër të qytetit në mesin e një lufte të pabarabartë sepse beteja e 7 majit është beteja e vetme e zhvilluar brenda qytetit. Lavdi dhe nderim për të gjithë dëshmorët dhe martirët si dhe për të gjithë familjarët e tyre”- u shpreh Kryeziu.