Përse femrat pëlqejnë meshkujt e gjatë?
Sipas shkencëtarëve, femrat preferojnë meshkujt e gjatë, më shumë se sa ata të shkurtër dhe ekziston një argument shkencor për këtë prirje. Ndërkohë meshkujt kanë tendencë për të bërë të kundërtën në lidhje me zgjedhjen e femrës së tyre
Zbulim shkencor
Shkencëtarët e Universitetit të Utah janë përpjekur të japin një shpjegim shkencor se përse femrat preferojnë meshkujt e gjatë, më shumë se sa ata të shkurtër. Arsyeja do të përbënte një precedent që shkon pas në kohë, në lindje të njerëzimit, kur, sipas disa shkencëtarëve, njeriu ecte me të katër gjymtyrët. Më pas, një ditë të bukur, vendos ta shohë botën nga një perspektivë tjetër, duke u çuar dhe duke qëndruar mbi dy këmbë. Sipas antropologëve, ky pozicion do të sillte disa dobi për njerëzit, në krahasim me kafshët e tjera, sidomos në situatat e luftës.
Pra do të ishte qëndrimi drejt shkëndija që do të ndizte tek femrat preferencën për meshkujt më të gjatë. Sipas profesorit të biologjisë, David Carrier, i cili merret edhe me çështjen e evolucionit, qëndrimi i drejtë do të sillte ndryshime në mënyrën se si gratë do të zgjidhnin partnerët e tyre. Një nga arsyet pse gratë i shohin burrat e gjatë si më tërheqësit është se gjatësia më e madhe është e lidhur shpesh me shëndetin, dominimin social dhe inteligjencën.
“Nga perspektiva e teorisë së seleksionimit seksual, femrat i preferojnë meshkujt më të fuqishëm pasi mendojnë se ata mund t’i mbrojnë femrat dhe fëmijët e tyre nga meshkuj të tjerë” – tha ai.
Burrë i gjatë, grua mesatare
Meshkujt më të gjatë janë më të mirë në luftë. Goditjet e meshkujve të gjatë janë më të forta se ato të meshkujve të shkurtër. Kjo i ka shërbyer evoluimit të femrave, sepse në seleksionimin gjinor, femrat joshen më shumë nga meshkujt e fuqishëm, sepse meshkujt e tillë mund t’i mbrojnë ato dhe fëmijët e tyre. Në këtë mënyrë, me kalimin e shekujve te femrat është krijuar bindja që në momentin e zgjedhjes t’i pëlqejnë meshkujt e gjatë. Por ka edhe ekspertë të tjerë të cilët thonë se zgjedhja e meshkujve të gjatë nga femrat, është për faktin se gjatësia sugjeron se ata kanë gjene më cilësore. Ndërkohë zgjedhja e një partneri bëhet edhe nga instinkti “kafshëror”. Kjo dukuri ekziston ende edhe sot, në shekullin XXI, edhe pse shpesh kjo gjë është ndërmjetësuar nga mendja dhe arsyetimi logjik, dhe në disa raste nga … Kupidi.
Po femrat e shkurtra…
Burrat shtatlartë martohen më shpesh me gra më të shkurtra se vetja. Gratë shtatshkurtra e arrijnë më shpejt pjekurinë seksuale dhe lindin më parë. Ekipi i shkencëtarëve britanikë, i kryesuar nga Daniel Nettle, pasi studioi mijëra vetë të lindur në vitin 1958, arriti në përfundimin se numri i burrave me gjatësi 183 centimetra që ishin bërë baballarë, ishte më i madh se i atyre me gjatësi 177 centimetra. Gjatë kësaj kohe, martesat më të suksesshme e me më shumë fëmijë i kanë pasur gratë me shtat deri në 162 centimetra. Sipas parashikimeve, në 50 vitet e ardhshme, mesatarja e shtatit të tyre do të rritet edhe 5 centimetra të tjera. Pra, nga pikëpamja e evolucionit njerëzor, shtatlartët mendohet se janë më progresivë.
Eh… – mund të thotë dikush, – këto janë çështje ndjenjash, dhe këtu s’ka të bëjë fare gjatësia. Në fund të fundit, si mund të matet ndjenja me “centimetra”?. Antropologu polak Jogisllav Pavllovskij shkon edhe më tutje. Ai mendon se në jetën e një çifti, as paratë dhe as respekti reciprok nuk luajnë aq shumë rol sesa raportet midis gjatësisë së trupave të tyre. Në bazë të studimeve që ka kryer, ai ka arritur në përfundimin se që jeta e një çifti të shkojë sa më mirë, burri duhet të jetë më i gjatë se bashkëshortja e tij. Një martesë e suksesshme, sipas tij, është ajo midis Tony Blair, 172 centimetra dhe bashkëshortes së tij Cherie, 156 centimetra, si dhe e futbollistit David Beckham, 183 centimetra me bashkëshorten e tij Victoria, 168 centimetra./shqip/