Hapet stinori Ligës së Parë Futbolistike të Kosovës
Te shtunen, hapet perdja e stinorit pranveror të Ligës së Parë Futbolistike të Kosovës ku bëjnë pjesë dy skuadra nga Gjakova, Vëllaznimi dhe Luftëtari i Brekocit. Të dyja skuadrat, në hapje të stinorit luajnë si mysafire. Futbolistët e Vëllaznimit neser prej ores 13.30 do të përballen me KEK-un në Kastriot, ndërsa të dielën Luftëtari udhëton në Ferizaj. Pretendimet e skuadrave tona janë të ndryshme.
Vëllaznimi me një organizim të ri, 11 përforcime dhe përgatitje të mira lufton për të siguruar vend mes katër skuadrave të para në tabelë për t” ju mundësuar beteja për inkuadrim në superligë, ndërsa Luftëtari do të bëjë përpjekje për të mbetur në këtë ligë.
Klubi me traditë Vëllaznimi, hynë në pjesën e dytë të këtij kampionati i motivuar për suksese dhe me misionin e vështirë që nga pozita e 10 me 19 pikë të tubuara ti afrohet katër pozitave të para, skuadrave: Ferizaj që ka 34 pikë ,pastaj KEK-ut dhe Trepçës që kanë 33 dhe “2 Korrikut” e Dukagjinit që kanë nga 28 pikë të tubuara.
Do të jetë një sfidë e madhe. Këtë e pranojnë futbollistët, shtabi teknik dhe kryesia e klubit, por besojnë në fuqinë e përgatitjeve, emrat e rinjtë të futbollistëve përforcues, motivimin dhe mbështetjen e tifozerisë së flaktë që ka Vëllaznimi.