Liburni në Europë, Bytyqi: S’e kemi lehtë, presim mbështetjen e diasporës
Sporti gjakovar gjatë muajit gusht do të prezantohet në arenën ndërkombëtare përmes Liburnit i cili merr pjesë në fazën parakualifikuese të UEFA Futsal Cup.
Gjakovarët kanë marrë gjithë titujt e mundshëm në Kosovë dhe tash gjenden para një sfide të re në arenën ndërkombëtare ku do të përballen me ekipet kampione të disa shteteve europiane.
Trajneri i Liburnit, Bekim Bytyqi thotë se do të përgatiten maskimalisht për të kaluar fazën e grupeve që është më e vështira për faktin se garën e vazhdon vetëm një skuadër.
“Nuk do ta kemi aspak të lehtë, prandaj duhet të përgatitemi maksimalisht nëse duam të kualifikohemi. Ne vetëm kemi nisur me stërvitje dhe javën e parë ato janë me intesitet më të ulët, por ditët në vijim ritmi do të shtohet dhe do të punojmë më shumë me anën taktike”, u shpreh Bytyqi.
Bytyqi, për Radio Gjakovën, ka thënë se pret edhe mbështetjen e diasporës gjakovare dhe kosovare që jetojnë në dhe përreth Luksemburgut ku zhvillohen kualifikimet./radiogjakova/