Vëllaznimi bindshëm ndaj Vllaznisë, kuqezinjtë fitojnë 3-0
Vëllaznimi ka arritur fitoren e dytë në kampionat pasi mposhti 3-0 Vllazninë e Pozharanit pasditen e së dielës në stadiumin e qytetit të Gjakovës.
Kuqezinjtë e kontrolluan totalisht ndeshjen dhe miqtë nuk arritën ta rrezikojnë për asnjë çast fitoren e skuadrës gjakovare.
Golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar për Vëllaznimin, Egzon Gashi hapi siparin e golave në minutën e 6, kur u gjend më së miri në zonën kundërshtare dhe shënoi për 1-0.
Skuadra e Munishit vijoi sulmet në kërkim të golit të dytë dhe e gjeti në të 32-ën. Semir Zeneli shfrytëzoi një shpërqendrim të mbrojtjes kundërshtare që shënoi për 2-0.
Deri në fund të pjesës së parë, Vllaznia pati vetëm një rast të mirë kur Salihu testoi me një gjuajtje portierin e Vëllaznimit, Muhaxhiri, por ky i fundit reagoi si duhet.
Pjesa e dytë nisi me Vllazninë e Pozharanit që kërkonte të shënonte golin që mund t’i jepte shpresë për një rezultat pozitiv.
Por, trajneri Munishi tregohet vendimtar me zëvendësimet. Në minutën e 60, Memaj nga krahu kroson në zonë dhe sulmuesi i huazuar nga skuadra e Skënderbeut të Shqipërisë, Paolo Ivan shënon golin e tretë në ndeshje dhe të parin me fanellën e Vëllaznimit.
Në minutën e 72, Alidemi pati një mundësi të artë për të shënuar për Vllazninë, por Muhaxhiri mban portën e paprekur.
Kuqezinjtë tani i pret një javë e vështirë, pasi të mërkurën luajnë në Gjilan ndaj skuadrës me të njëjtën emër, ndërsa të shtunën presin në Gjakovë, Ferronikelin.
I vetmi shqetësim për Munishin pritet të jetë sulmuesi Egzon Gashi që u largua nga loja i lënduar, megjithëse një informacion më i plotë rreth shëndetit të tij pritet të merret në orët në vazhdim./radiogjakova/