.
Published On: Fri, Sep 15th, 2017

Hendboll, Vëllaznimi gati për ndeshjen e parë ndaj Llapit

Share This
Tags

Këtë fundjavë nis Superliga e hendbollit për meshkuj. Hendbollistët e Vëllaznimit ndeshjen e parë do ta luajnë si mysafir të Llapit.

Mes shumë vështirësive financiare, hendbollistët kuqezi tashmë janë në fazën e fundit të përgatitjeve.

Trajneri Lulzim Nagavci tha se përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe janë optimistë për një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë, kemi pasur disa mungesa në lojtarë, por i kemi huazuar nga kadetët e juniorët. Për ndeshjen ndaj Llapit jemi gati dhe duam që ta nisim kampionatin sa më mbarë”, tha ai.

Duke folur për synimet, Nagavci thotë se Vëllaznimi mëton që kampionatin ta mbyll në mesin e tabeles.

“Duke pasur parasysh fondin e lojtarëve dhe kushtet, synimet tona janë që në fund të këtij sezoni të jemi në vendin e pestë”, shtoi Nagavci.

Kushtet e vështira, sipas hendbollistit Endrit Peja, kanë bërë që jo gjithçka të jetë ashtu siç e meriton klubi i Vëllaznimit, por ka besim në bashkëlojtarët që të bëjnë paraqitje sa më dinjitoze këtë kampionat.

“Trajneri dhe të gjithë lojtarët po japim maksimumin në përgatitje. Kushtet nuk janë edhe aq të mira, por duam të përfaqësohemi denjësisht. Për ndeshjen e parë mendoj se jemi gati dhe besoj se do të marrim një rezultat pozitiv”, u shpreh Peja.

Ndeshja hendbollistike e vlefshme për javën e parë të Superligës së Kosovës ndërmjet Llapit dhe Vëllaznimit luhet të dielën prej orës 16:00./radiogjakova/