Gojani i lumtur për kualifikimin: Nuk kemi preferenca për gjysmëfinale
Ndonjëherë duhet të rrezikosh që të fitosh. Pikërisht këtë e bëri trajneri Arsim Gojani që nxori në sulm të gjithë skuadrën pas pësimit të golit të dytë.
Ai vendosi të largojë nga loja një mbrojtës për një sulmues duke e kthyer skemën me tre mbrojtës, taktike kjo që në fund i rezultoi tërësisht e suksesshme.
“Ishim duke humbur kështu që rrezikuam. Meqë zëvendësimet i kisha kryer, pata frikën mos skuadra do të humbte përqendrimin në shtesa, por jo madje edhe fizikisht e përballuam shumë mirë dhe për këtë jam i lumtur”, u shpreh Gojani menjëherë pas ndeshjes.
Rikthimi i Gojanit në bankinën e Vëllaznimit u shoqërua me një kalendar të vështirë. Trepça ’89 në Mitrovicë, Prishtina në shtëpi dhe dy ndeshje me Dritën në Gjilan sollën 2 pikë dhe kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës.
Arsim Gojani nuk e ka mendjen shumë të shorti, por premton se përgatitja nuk do të mungojë pavarësisht emrit të kundërshtarit.
“Nuk kemi asnjë preference për kundërshtarin në gjysmëfinale, jam i sigurt se do të jemi të përgatitur kushdo qoftë”, vijoi Gojani.
Përveç Vëllaznimit, një vend në gjysmëfinale përmes shortit e ka siguruar edhe Drenica, ndërsa dy gjysmëfinalistet e tjera do të kuptohen pas ndeshjeve Llapi-Prishtina e Gjilani-Vushtria./radiogjakova/