Metalurg, fituese e turneut “Shqiponja 2000”
Skuadrave e hendbollit të femrave Metalurg nga Maqedonia u shpall fituese e turneut ndërkombëtar “Shqiponja 2000” që u mbajt për dy ditë në Gjakovë në organizim të klubit Shqiponja.
Vashat maqedonase mposhtën në finale 29-17 rivalet e Niksic nga Mali i Zi. Skuadra e Metalurg në tërësi dominoi ndeshjen duke e dominuar kundërshtarin e në fund edhe të gjithë turneun.
Vashat gjakovare të Shqponjës arritën të zënë vendin e tretë, pasi në “finalen e vogël” mposhtën ekipin bullgar Niki – Sport me rezultat 37-29.
Gjysmëfinalet ishin luajtur një ditë më parë, ku u përcaktuan edhe çifti finalist dhe ai për vendin e tretë. Për t’u veçuar ishte përballja mes Shqiponjës dhe Metalurgut që ishte e luftuar deri në fund e që përfundoi me fitoren e maqedonasve.
Lojtarja më e mirë e turneut u zgjodh Jana Kalajdzievska nga skuadra fituese Metalurg. Golashënuesja më e mirë me 24 gola u shpall Xhevahire Bajramaj e Shqiponjës, ndërsa portierja më e mirë u zgjodh Vanja Kvaçeviç nga ekipi malazez Niksic.
Kryetari i klubit Shqiponja, njëherit organizatori, Skënder Alija, u shpreh i kënaqur me mbarëvjajtjen e edicionit të 18 të këtij turneu dhe për klubet pjesëmarrëse.
Në fund, organizatorët ndanë mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan në mbajtjen e këtij turneu./radiogjakova/