.
Published On: Tue, Mar 20th, 2018

Muaji i hendbollit, Gjini: Të punojmë për të nxjerrë yjet e së ardhmes

Share This
Tags

Muaji mars ishte shpallur muaj i hendbollit nga Komuna e Gjakovës. Të martën u mbajtën gara në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave për shkollat fillore dhe të mesme të Gjakovës në këtë sport.

Në një ceremoni të veçantë që u mbajt pasditen e së martës në Pallatin e Sporteve “Shani Nushi”, kryetari Ardian Gjini tha se me të tilla organizime dhe me punë më të madhe do të arrijmë të rikthejmë Gjakovën në krye të hendbollit kosovar dhe të nxjerrim ndonjë yll të ardhshëm nga ky sport.

“Dikur kemi qenë në krye të hendbollit, por mund të rikthehemi aty duke ndihmuar skuadrat që janë në elitë dhe talentet e reja. Ndoshta do të arrijmë të nxjerrim edhe ndonjë yll të ardhshëm”, tha Gjini.

Nxënësit dhe shkollat pjesëmarrëse i përshëndeti edhe drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport, Saranda Hyseni dhe drejtori i Arsimit, Bernard Frrokaj.

Ndërsa anëtari i Shoqatës së Pedagogëve Sportivë të Gjakovës, Bekim Gaxherri, tha se të tilla gara i ndihmojnë edhe klubeve të hendbollit të Gjakovës që të zbulojnë dhe të rekrutojnë talente të reja.

Për më të dalluarit në këto gara u ndanë edhe kupa e mirënjohje nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport./radiogjakova/