.
Published On: Fri, Mar 30th, 2018

Komuna ndan 26 mijë euro për Teatrin “Hadi Shehu”

Share This
Tags

Asambleja e Gjakovës të premten mori vendim që të subvencionojë për këtë vit me 26 mijë euro Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu”.

Teatri i ka arsyetuar këto mjete me 4 premiera brenda vitit, 40 repriza dhe 15 repriza të tjera jashtë qytetit të Gjakovës. Mirëpo, kjo nuk kaloi pa debate.

Asambleistja e PDK-së, Dafina Syla, tha se nuk duhet të abuzohet me emrin e Teatrit të Qytetit. Sipas saj, plani i Teatrit ka shumë mangësi. Syla deklaroi se nuk ka interes për 10 repriza për një shfaqje, ndërsa shtoi pyetjen se ku shkojnë të hyrat që merren nga biletat.

Kryetari Gjini e pranoi se plani i Teatrit nuk është i saktë, mirëpo kërkoi që edhe këtë vit të shkohet sipas këtij planifikimi, ndërsa premtoi se do të ndryshojë nga viti i ardhshëm.

Zef Komani nga PSHDK kërkoi që kjo pikë të shtyhet për mbledhjen e radhës, por kjo nuk u aprovua, për faktin se mbledhja e radhës mbahet në fund të muajit prill, ndërsa Teatri ka nevojë për mjete.

Në fund, me 27 vota pro, 1 abstenim dhe asnjë kundër u aprovua vendimi për të subvencionuar Teatrin e Qytetit me 26 mijë euro./radiogjakova/