.
Published On: Thu, Jun 27th, 2013

Mbajeni mend këtë emër: Vlona Boshnjaku

Share This
Tags

vlona-boshnjakuAjo është aq elegante sa drejtimi për të cilin studion. Ajo është aq serioze në studime sa muzika që dashuron. Ajo ka befasuar të gjithë ata që e kanë dëgjuar dhe të gjitha ata besojnë se suksesi do ta ndjek atë.  Ajo na përgjigjet aq bukur sa notat muzikore që nxjerr nga brendësia e saj.

Ajo është Vlona Boshnjaku. Aktulisht studente në Akademinë e Arteve në Tiranë në drejtimin kanto. Emri mund t’i kujtoj dikë pjesëmarrjen e saj në evenimente kulturore nga më të bukurat që janë mbajtur në Gjakovë, e fundit ajo e violinsitit Shkëlzen Dolit e quajtur “Ku ka si ti o Shqipëria ime”, ndërsa për të tjerë që se kanë parë, për profesorët dhe kolegët e saj në Shqipëri ajo është një artiste e lindur.

Në këtë intervistë Vlonën e mbajmë larg notave muzikore dhe shprehjeve shpeshherë të ngatërruara që muzika ka mbrapa saj. Duam ta njohim më tepër, t’i shkojmë në origjinen e dashurisë së saj për muziken, ta pyesim për të tashmen dhe ta ngacmojmë për të ardhmen.

Në gjithë këto vite, në studion e Radio Gjakoves kanë defiluar qindra të rinj që sot kanë një emër dhe status të respektuar pasi punuan shumë. Ne u paraprimë sukseseve të tyre. Jemi të bindur se në rastin e Vlones do jetë e njejta gjë.  Në vjeshtën e këtij viti ajo paralajmëron diçka të bukur që ne sigurisht nuk do ta humbim, por deri atëherë ju ftojmë të lexoni intervisten.

RGJ: Cfarë është muzika për ty?
Vlona Boshnjaku: Muzikën e kam te afërt, të dashur. E kam frymezim, e kam mendim konstant, terapinë time më te mirë për gjithcka. E kam zgjedhjen dhe zgjidhjen më të mirë. Rrugën time nga shpirti për në shpirt.

RGJ:Kur ka filluar Vlona të dashuroj muziken dhe ta mendojë atë si një profesion të mundshëm?
Vlona Boshnjaku: Lidhja ime me muzikën ka filluar herët. Në fakt, me muzikën jemi njohur aq herët sa veten nuk e mbaj mend pa të. Me vitet që kaluan fillova ta dua edhe më shumë, aq shumë sa fillova ta ndjej si pjesë timen. Një pjesë që vendosa ta rris sa më shumë të mundesha sepse më bën të ndihem mirë. Dhe njerëzit përreth filluan të më reflektonin të njëjtën ndjesi. Ata që më dëgjonin merrnin kënaqësi prej zërit tim dhe kjo është gjëja më e veçantë që mund t’i ndodhë dikujt.

RGJ: Si është të studiosh për muzikë?
Vlona Boshnjaku: Do të thoja është impenjative. Të studiosh muzikë do të thotë të kesh durim për të korrigjuar çdo detaj dhe kjo sigurisht merr kohë. Kërkohet përqëndrim maksimal, përfshirje, përkushtim. Të studiuarit e muzikës ka disa kushte në bazë të të cilave ti duhet të përthyhesh ose mirë të përshtatesh. E gjithë jeta e një artisti, kur ai e vendos të bërit art në plan të parë, sillet rreth artit. Për gjithcka tjëtër hapsira kufizohet. Ka dhe sakrifica. Të duhet të studiosh pa kohë, të punosh pa u lodhur.

RGJ: Sa e vështirë ishte të prekje ëndrrën e Akademisë së Arteve në Tiranë?
Vlona Boshnjaku: Sinqerisht nuk ka qënë aspak e lehtë. E gjeta veten para një sfide të madhe duke qenë se nuk kisha ndjekur më parë shkollën e muzikës. Katër muajt para konkursit ishin muaj pune intensive. Kam punuar privatisht me profesorë që besuan në mundësinë e shndërrimit tim në aq pak kohë. Lodhja ia vlejti, arrita t’i kaloj të gjithë provat. Kështu arrita të arsyetoj edhe besimin e familjarëve dhe profesorëve të mi.

RGJ: Pse zgjodhe muziken klasike?
Vlona Boshnjaku:
Kjo pyetje më drejtohet shpesh, e po aq, e kam për kënaqësi të përgjigjem. Di të them se më fle në shpirt. Është disiplina muzikore që koha nuk e fshiu dot e njerëzimi e ka përtrirë nëpër shekuj. Në të gjej të mishëruar pasionin e gjithë popujve, emocionin e gjithë etnive, është muzika që bashkon botën, kulturat, bashkon kohërat, unifikon emocionin. Një opera e kënduar mirë duartrokitet njësoj në çdo skaj të botës. Mua më duket sikur ta imponon respektin për të.

RGJ: Pse vendoset të studionit në Shqipëri?
Vlona Boshnjaku:
Vendosa të ndjek studimet në Tiranë për shkak të traditës që ky universitet ka në vlerësimin dhe gjenerimin e brezave të mirëkultivuar në muzikën klasike. Artistët e rinj në këtë fushë mirëpriten, zërave të rinj u kushtohet vëmëndje dhe nëse respekton çdo kusht që të studiuarit në këtë disiplinë kërkon, atëherë nuk është e pamundur të krijosh hapsira për ta servirur zërin tënd.

RGJ: Kohë më parë keni qenë prezente ne evinimente kulturore në Gjakovë, kohët e fundit sikur s’po ju shohim shpesh, pse po ndodh kjo?
Vlona Boshnjaku: Siç e theksova pak më lartë, muzika klasike kërkon respekt për limitet që të vendos. Mua më duhet t’i ndjek me përpikmëri orët e nevojshme të studimit. Edhe distanca është e konsiderueshme, pasi zëri e ndjen menjëherë lodhjen apo presionin e kushteve të motit. Sigurisht që nëse do të ketë interes apo ftesa, jam e hapur të pranoj gjithçka. Në vjeshtë mendoj të jem para publikut të Gjakovës me koncertin tim të parë solistik.

RGJ: Ku dhe me kë do të dëshiroje të realizoje një koncert madhështorë?
Vlona Boshnjaku:
Mua do mjaftonte të këndoja. Mrekullinë në skenë e madhështinë e saj, do e ndjeja pse jo edhe përkrah shokëve të kursit, profesorëve që takoj përditë, çdo artisti shqiptar a të huaj. Vetëm një kusht ekziston: ta dojë muzikën klasike po aq sa unë. Kjo do e bënte madhështinë.

RGJ: Kush janë njerëzit dhe fjalet më të mira që ju kanë thënë e që ju i mbani edhe si këshilla për veten tuaj?
Vlona Boshnjaku:
Më kanë thënë para pak kohësh të këndoj sa të mundem. Ta vë zërin tim në dispozicion të enocioneve të publikut, të jetoj për të, për mbushjen e shpirtit të gjithkujt ka nevojë. Kjo është një këshillë që unë s’kam mundur të bëj ndryshe pos ta ruaj.

RGJ: Kush është motivi që ju bën të ecni përpara?
Vlona Boshnjaku:
I detyrohem tepër familjes për këtë. Ata me kanë besuar, inkurajuar e mbështetur në çdo moment. Ata kanë ditur ta vërejnë, ta nxisin e ta rrisin dëshirën për të kënduar. Besimi është dhurata e tyre më e çmuar karshi meje. Dhuratën e tyre e kam më të shtrenjtën./radiogjakova/

Albana Curri

vlona-grupi-rgj

Vlona Boshnjaku gjatë performances së saj bashkë me këngëtarët tjerë gjakovarë në koncertin “Ku ka si ti o Shqipëria ime”