.
Published On: Fri, Mar 14th, 2014

Abrashi: Do luaj vetëm për Shqipërinë

Share This
Tags

 abrashi-Tiranë- Amir Abrashi mezi pret ndeshjet e Kombëtares së Shqipërisë me Serbinë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, ‘Euro 2016’. Mesfushori i Grasshoppersit thotë se këto ndeshje janë speciale. Zbulon se si e refuzoi Zvicrën për Shqipërinë, teksa pohon se trajneri i Shqipërinë, Xhani De Biazi, i ka premtuar vendin e titullarit. Flet edhe për
përfaqësuesen e Kosovës dhe formën që po shfaq me Grasshoppersin.

Mesfushori kosovar, Amir Abrashi, muaj më parë moriofertë nga përfaqësuesja e Zvicrës dhe njëkohësisht nga Kombëtarja e Shqipërisë. Abrashi luan në kampionatin zviceran me skuadrën e Grasshoppersit. 23-vjeçari për dallim nga disa futbollistë të tjerë shqiptarë, vendosi që të mbrojë ngjyrat e Kombëtares kuq e zi. Abrashi në një intervistë për ‘Sport Plus’ thotë se nuk është aspak pishman për zgjedhjen e bërë.

“Ottmar Hitzfeld (trajneri i Zvicrës) më pati kontaktuar dhe më ka thënë që të pres, pasi do të ftohem. Synimi i tij ishte që të bëjë një ekip të re. Ndërkohë, më ftoi trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biaz. Më prezantoi projektin që ka me Shqipërinë dhe vendosa. Nuk jam aspak pishman”, ka deklaruar Amir Abrashi për gazetën. Gjatë karrierës së tij ai luajti edhe për Zvicrën U-21.

Në pyetjen se çka u sugjeron lojtarëve që janë në Evropë, sa i përket zgjedhjes së ekipit nacional, Abrashi deklaroi: “Le të shkojnë ku t’u thotë zemra. Për mua ekziston Shqipëria”. Abrashi deri më tani ka zhvilluar pesë ndeshje me fanellën e Kombëtares. Zakonisht është futur në lojë nga banka
rezervë. “Është fillimi. Nuk jam tip që vloj. Trajneri më ka premtuar se do të luaj titullar”, shtoi Amir Abrashi. Në ndeshjen e fundit Shqipëri – Maltë (2:0), Abrashi shijoi 30 minutat e fundit të ndeshjes.

Kualifikimi i mundshëm dhe ndeshjet me Serbinë
Shqipëria tashmë ka mësuar rivalët për Kampionatin Evropian që do të organizohet në Francë, ‘Euro 2016’. Portugalia, Danimarka, Serbia dhe Armenia janë kundërshtarët e Shqipërisë. Abrashi thotë se është grup i vështirë, mirëpo sipas tij, në futboll çdo gjë është e mundur. “Futbollit nuk i dihet. Sa i përket ndeshjeve me Serbinë, nuk ka me qenë e lehtë në Beograd, e as në Shqipëri nuk do të jetë e lehtë. Duhet t’u tregojmë atyre se kemi një ekip të mirë. Do të jenë ndeshje speciale”, vlerësoi Amir Abrashi.

A do ta lërë Shqipërinë për Kosovën?
Përfaqësueses së Kosovës, më 13 janar të këtij viti iu lejuan ndeshjet miqësore nga FIFA. Parashikohet që brenda një periudhe jo fortë të gjatë, Kosova të pranohet me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA, me ç’rast do të ketë të drejtë të marrë pjesë në kualifikimet për botëror dhe evropian. Abrashi deri më tani nuk është kontaktuar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) e as nga trajneri Albert Bunjaki. “Nuk kam folur me askënd në Kosovë. Tashmë kam vendosur të luaj për Shqipërinë, nuk ka kuptim që të ndërroj mendje. Jam i lumtur te Shqipëria”, theksoi Abrashi.

Kërkon Ligën e Kampionëve
Amir Abrashi me shumë sukses luan për skuadrën e Grasshoppersit. Pas javës së 24, kjo skuadër ndodhet në vendin e dytë me 45 pikë të mbledhura, pesë më pak se sa Baseli. “Në Zvicër po me ecën shumë mirë. Gjithmonë
luaj titullarë. Synojmë vendin e dytë që na mundëson Ligën e Kampionëve. Para pak javës patëm një ndeshje të rëndësishme me Bazelin dhe nuk arritëm të fitonim dhe në këtë mënyrë e humbëm hapin për titull”, deklaroi
Abrashi, i cili mbetet me shpresë se shumë shpejt do të ndërrojë kampionat. “Oferta kam, por menaxheri nuk po më tregon se cilat klube janë. Ndoshta do të rri edhe një vit në Grasshoppers”, përfundoi Amir Abrashi. Përpos tij, edhe Shkëlzen Gashi, Imran Bunjaku, Albion Avdijaj dhe Shani Tarashaj janë shqiptarët e tjerë që luajnë në këtë ekip./gtema/