.
Published On: Sat, Dec 30th, 2017

Ahmetaj e Selimi shpallen sportistët e vitit në Gjakovë

Share This
Tags

Shpejtim Ahmetaj, kikboksieri kosovar, anëtar i klubit të Kik Boksit Sport Center në Gjakovë që bëri krenarë shqiptarët duke u shpallur kampion bote dhe Halim Selmanaj futbollist i klubit të futsallit Liburn i cili nga UEFA u shpall golashënuesi më i mirë në Evropë pas Cristiano Ronaldos së famshëm, janë dy sportistët e Vitit 2017 në komunën e Gjakovës.

Shpallja solemne u bë të premten në mbrëmje me organizim të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Tetë sportistët e tjerë që plotësuan “Top 10” më të mirët e këtij viti të zgjedhur nga juria ishin: Festa Bicurri (basketbolliste), Lulzim Koshi (shahist), Florid Gashi (kërcyes nga Ura e Fshenjtë), Zani Sylhasi (çiklist), Flutura Ibrahimi (alpiniste), Altik Muhaxhiri (futbollist), Arti Luzha (hendbollist) dhe Shkurte Mehmeti (hendbolliste).

Kryetari i komunës Ardian Gjini pasi përgëzoi sportistët për sukseset e arritura u ka premtuar angazhim të komunës për t’iu krijuar kushte sa më të volitshme, klubeve, veçanërisht atyre shkollave sportive që nxjerrin talente dhe klubeve që arrijnë rezultate elitare.

Klubi më i mirë sportiv u shpall FC Liburni që prezantoi Kosovën në garat ndërkombëtare të UEFA Futsall Cup në Luksemburg dhe Kroaci.

Trajnerët më të sukseshëm u shpallën Bekim Bytyqi nga FC Liburn dhe Lekë Ramoja nga Sport Center.

Punëtori më i dalluar sportiv u shpall Shkumbim Gashi nga KF Vëllaznimi, ndërsa gjyqtari më i dalluar u shpall Kreshnik Vula.

Pedagogu më i dalluar u zgjodh Ilir Bytyqi nga arsimi fillor dhe Leonard Culaj nga arsimi i mesëm.

Shoqata më e dalluar sportive u shpall Shoqata e Peshkatarëve “Ereniku” dhe Shoqata e të Verbërve me shahistin Shaip Kastrati.

Organizatori ndau mirënjohje edhe për veteranët e sportit gjakovar, për Sejfullah Sahatçija, hendboll, Gani Gexha, futboll dhe Faton Canhasi, basketboll.

U ndanë mirënjohje edhe për donatorët më të suksesshëm: Abaz Beqa nga FC Liburn, Shkelzen Gashi nga KF Vëllaznimi dhe Artan Nimani nga KH Shqiponja.

Mirënjohje u ndanë edhe për talentët e rinj që janë shpresat e sportit gjakovar: Lis Dobroshi në not, Harun Morina në taekvondo, Yll Emra në futboll, Adea Haxhidauti, skijim dhe Albion Rama, karate.

Mirënjohjet i ndanë Burbuqe Deva, zv.ministre e Kultures, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Saranda Hyseni, drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Gjakovë si dhe Faruk Domi udhëheqës i sektorit të Sporteve./radiogjakova/