Basketboll, Kosova vijon përgatitjet në Gjakovë
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll vijon përgatitjet për parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”. Në Pallatin e Sportit “Shani Nushi” lojtarët e grumbulluar nga trajneri i ri Brad Greenberg po stërviten nga dy herë në ditë.
Trajneri amerikan i Kosovës u shpreh i kënaqur me kushtet e ofruara në Gjakovë dhe tha se po përgatiten intensivisht që të bëjnë paraqitje sa më të mirë.
Ai po ashtu njoftoi se të premten do të marrin pjesë në një mini-turne në Austri dhe Sllovaki për të zhvilluar ndeshje përgatitore me përfaqësueset e këtyre dy vendeve, të cilat ngjashëm me përfaqësuesen tonë, marrin pjesë në ciklin para kualifikues për Kupën e Botës “Kina 2019”.
Kosova në para kualifikime për Kupën e Botës është në grup me Maqedoninë dhe me Estoninë. Cikli i para kualifikimeve fillon më 2 gusht./radiogjakova/