.
Published On: Sat, Jan 17th, 2015

Besnik Hasi: Trofeu ishte për gjithë shqiptarët

Share This
Tags

besnik-hasiBesnik Hasi mund të quhet pa frikë personazhi i 2014-ës jo vetëm në Belgjikë, ku mori çmimin “Trajneri i Vitit”. Ish-kapiteni i Kombëtares, tanimë trajneri i gjigandit belg, Anderleht, ka arritur të ngrejë lart edhe emrin e Shqipërisë, teksa në mbrëmjen gala përshëndeti në shqip.

“Doja që të dëgjohej zëri im në shqip, ndaj edhe përshëndeta në gjuhën time”, ka thënë dje Hasi gjatë një interviste për “Panorama Sport”. Ndërkohë, ai ka prekur me detaje punën që ka bërë vitin e shkuar te skuadra belge, por edhe synimet për të ardhmen e afërt, të cilat pleksin gjithsesi ngjyrat kuqezi.

Një çmim i merituar pas një viti spektakolar… Besoj se po.
Përtej modestisë, them se kemi bërë si staf një punë të jashtëzakonshme. Kujtoj që kur e mora drejtimin e skuadrës, ishim rreth 10-11 pikë larg kreut, por ditëm se si të fitonim titullin kampionat dhe më pas edhe të luanin denjësisht në Kupën e Kampioneve.

Si u arrit një gjë e tillë?
E thjeshtë, unë e njihja mirë ekipin dhe ambientin, pasi kam vite te Anderlehti. Presidenti më pat dhënë mbështetje të madhe ndaj bëra shumë ndryshime, gati totale. E mbështes punën te lojtarët e rinj, që kishin dalë nga akademia dhe sot jam krenar që kam të paktën 8 futbollistë që luajnë rregullisht në formacion, të cilët janë në vëzhgim të vazhdueshëm nga klubet më të mëdha në Europë. Mos harroni se fituam edhe Superkupën, si dhe bëmë mirë në Champions League.

Në fakt kaluat çdo parashikim…
Po, pasi askush nuk na kuotonte se ne mund të shkonim aq larg. Me një skuadër të re arritëm të merrnim rezultate, duke bërë paraqitje shumë të mira në një grup tejet të fortë në Champions. Dhe ëndrra vazhdon akoma…

Dhe ëndrra vazhdon akoma…
Po, pavarësisht se shorti nuk ishte edhe aq i mirë për ne. Kemi përballë një skuadër si Dinamo e Moskës, kundërshtar shumë i fortë. Megjithatë, besoj se me punë mund të arrijmë të shkojmë larg në Europë. Gjithashtu në kampionat jemi katër pikë pas Bryzh, por unë jam optimist për fitimin e titullit.

Gjatë ceremonisë përshëndete në shqip, përse?
Zakonisht unë flas në frëngjisht dhe flandisht edhe kur jam në konferenca shtypi, pasi janë gjuhë zyrtare në Belgjikë. Por këtë herë doja të jepja një mesazh, doja të tregoja identitetin e origjinën time. Komuniteti i shqiptarëve është shumë i madh në Belgjikë dhe ky ishte një trofe dhe për ta, ashtu si dhe për të gjithë shqiptarët.

Tani që e mendon, besoj se nuk jeni bërë pishman që refuzuat Shqipërinë tri vite më parë?
Nuk e refuzova Shqipërinë, por nuk isha i gatshëm, i denjë në atë kohë që ta drejtoja. Kisha qenë vetëm zv.trajner dhe nuk e ndieja të merrja atë përgjegjësi, ca më shumë kur bëhej fjalë për vendin tim. Dhe kjo nuk ishte çështje vullneti, por unë parapëlqej që kur i futem diçkaje ta mendoj mirë dhe besoj verbërisht te suksesi. Së dyti, unë isha nën kontratë me Anderlehtin dhe, nëse ka një person që e respektoj jashtëzakonisht shumë, pasi edhe ai ka bërë po kaq shumë për mua, është presidenti i këtij klubi.

Në ç’kuptim?
Ai më ka dhënë mundësinë të luaj për këtë klub të madh. Më dha mundësinë të bëhesha zv.trajner dhe tanimë të drejtoj këtë klub. Më ka konsideruar si një person të familjes dhe në ato momente dëgjova natyrisht edhe këshillën e tij. E di që shqiptarët donin që unë të drejtoja Kombëtaren, por nuk ishte momenti.

Kur mund të jetë momenti?
Ndoshta pas De Biazit? Pse jo? Gjithnjë nëse do jenë kushtet, nuk ka arsye tani që të refuzoj, pasi kam fituar eksperiencën e duhur.

Ç’doni të thoni me “kushtet”?
Nëse unë do jem i lirë, pra jo nën kontratë. Nëse Anderlehti nuk do më ndalojë ose nëse do më kërkojë natyrisht federata.

Vijoni të mbani kontakte me presidentin Duka?
Po, kam kontakte me presidentin. E di që në atë kohë ai u zhgënjye disi nga përgjigjja ime, por me kohë e kuptoi se nuk kishte të bënte me një refuzim më shumë, sesa me faktin se nuk ishte koha. Jam i sigurt se mes tij dhe meje nuk ka hatërmbetje.

Pra, mund të themi se shumë shpejt mund t’ju shikojmë në krye të Kombëtares?
Unë e kam thënë gjithnjë që një ditë do ta drejtoj Kombëtaren e Shqipërisë. Kjo është pak, por e sigurt.

Kujtoj se para disa vitesh kur luaje me kuqezinjtë, the se nuk doje të ishe në kushtet që të zgjidhje mes Shqipërisë dhe Kosovës, po tani?
Tani është shumë më ndryshe, pasi jam vetëm trajner dhe jo lojtar. Ka ndryshim të madh kur zbret në fushë dhe mbron ngjyrat e kombit tënd dhe kur je vetëm trajner.

Kjo do të thotë se mund të drejtosh edhe Kosovën nëse të thërret?
Pse jo, por gjithnjë varet nga kushtet dhe rrethanat në të cilat do jem kur të më vijë një ofertë e tillë.

Si e shikon Kombëtaren shqiptare? Sa shanse kemi të shkojmë në Europian?
E merrni me rezerva optimizmin tim, por unë them se me këtë skuadër, me këtë mënyrë loje që po bën de Biazi, e kemi të sigurt vendin e tretë në grup. Sigurisht, nëse do vijojmë me të tilla performanca sikundër kemi bërë deri tani, mund të shkojmë edhe në vend të dytë. Uroj vetëm që De Biazi ta ketë grupin e lojtarëve gjithnjë të gatshëm, pa dëmtime dhe pezullime.

Si e gjykoni punën e De Biazit?
Ka qenë fantastik. Nuk është aspak e lehtë të ngresh një skuadër nga e para dhe për më tepër në një moment kritik, kur disa lojtarë u larguan dhe moralisht skuadra ishte përtokë. Ka merita të mëdha, sepse ka krijuar identitet. Shqipëria luan sot e barabartë dhe pa frikë ndaj cilitdo kundërshtar dhe kjo nuk është pak.

Cilin lojtar nga Kombëtarja do donit të kishit te Anderlehti?
Po mundohem të jem sa më konkret: aktualisht unë kam një ekip të kompletuar, por na duhet një qendërmbrojtës dhe për eksperiencën që ka, por edhe për personalitetin, do doja të kisha Lorik Canën.

E keni kontaktuar?
Po, kam folur për Vit të Ri me babain e tij, Agimin, por Loriku për momentin është i shtrenjtë për klubin tonë. Ai merr një rrogë shumë të lartë dhe, përveç kësaj, ne nuk mund të paguajmë për kartonin e tij.

Po nëse këto gjëra do kishin në zgjidhje?
Do ta merrja me vrap në skuadër dhe uroj që të jetë sikundër thatë ju. Loriku është një nga ata lojtarë që realisht bëjnë punë jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, pasi krijon unitet.

Përveç tij?
Kam dashur të marr Ermir Lenjanin. Madje e pata vëzhguar në disa ndeshje vitin e shkuar, por kur ne menduam të lëviznim në drejtim të tij, ai firmosi për Renën, kështu që na shpëtoi dhe nuk e morëm dot.

/Panorama Sport/